Rreth 20 mijë gra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve të vendit. E, deri tash për këtë krim lufte vetëm Zoran Vukotiqi është dënuar me 13 vjet burgim dhe janë ngritur 6 aktakuza të tjera. Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt janë inkurajuar viktimat që ta thyejnë heshtjen
Për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë deri tash vetëm Zoran Vukotiqi është dënuar me 13 vjet burgim, derisa janë ngritur 6 aktakuza.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, kërkoi që kryerësit e këtyre veprave të vihen para drejtësisë.
“Kjo ditë duhet t’i bashkojë të gjithë akterët për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës, për faktin që sot e 25-vjet në liri është vetëm një rast, i cili njihet si rasti i Zoran Vukotiqit, që është dënuar me 13 vjet burgim, ndërsa janë ngritur edhe 6 aktakuza, mirëpo ka edhe shumë gra, vajza, burra dhe djem që kërkojnë drejtësi. Andaj kryerësit e kësaj vepre duhet të vihen prapa grilave, ashtu siç kërkohet nga të gjithë të mbijetuarit, por edhe familjarët e tyre”, ka thënë Rushiti.
E, presidentja Vjosa Osmani theksoi se angazhimi i Kosovës është i palëkundur që të dalin para drejtësisë personat që kryen dhunime seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt ne vazhdojmë të nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që kanë duruar tmerre të papërshkrueshme nën regjimin gjenocidal të Milosheviqit. Këto gra dhe burra të guximshëm na e kujtojnë detyrën tonë të përbashkët për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte”, ka shkruar Osmani në platformën sociale “X”. “Sot ne shohim të mbijetuarit në Kosovë duke transformuar dhimbjen e tyre në veprim të fuqishëm, duke frymëzuar të panumërt të tjerë në kërkim të drejtësisë. Angazhimi ynë është i palëkundur: ne duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë dhe të sigurojmë që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë”.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka shkruar në Facebook se gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia.
“Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjera”, ka shkruar ai. “Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë”.
Ai ka theksuar se angazhohet për mbështetje institucionale dhe për drejtësi, për viktimat e dhunës seksuale.
“Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojmë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte”, ka shkruar kryeministri Kurti.
E Ambasada amerikane ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në mbështetjen e viktimave dhe të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt le të qëndrojmë së bashku për një botë pa dhunë dhe konflikte që u mundëson grave dhe vajzave të ushtrojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe të përfaqësohen dhe të udhëheqin vendimmarrjen. Dhuna seksuale e lidhur me konfliktin nuk është një pasojë e pashmangshme e luftës – ajo mund dhe duhet të parandalohet”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Sipas institucioneve të Kosovës, besohet se rreth 20 mijë gra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.
Nga nëntori i vitit të kaluar afër dy mijë persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.
Rreth 1.600 personave iu është aprovuar statusi.
Ndërkaq janë duke u zhvilluar edhe procese gjyqësore për përdhunimet gjatë luftës, ndaj të akuzuarve që strehohen në Serbi.
Në Gazetën Zyrtare të Kosovës janë publikuar vendimet gjyqësore letër-rreshtime (urdhërarreste) ndërkombëtare për të pandehurit: Dejan Raçiq, Goroljub Paunoviq, Ivica Rajkoviq, Dragan Deniq, Milan Jovanoviq, si të dyshuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.