*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Në tre muajt e parë të vitit janë raportuar 698 raste të dhunës në familje, në të cilat 573 nga viktimat janë gra. Pas dhunës që përjetojnë, kalojnë një kohë në strehimoret rajonale, por shumë nga to detyrohen që sërish të kthehen në familjet ku kanë përjetuar dhunën. Sfidë për viktimat vazhdon të jetë banimi afatgjatë, punësimi, e veçmas riintegrimit në shoqëri
Shtatë gra dhe 9 fëmijë viktima të dhunës në familje aktualisht adresë të vetme strehimi e kanë Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe të Fëmijëve në Prishtinë, e ku ligjërisht mund të qëndrojnë vetëm deri në gjashtë muaj.
Njëra prej viktimave që së bashku me fëmijët përjetoi dhunë fizike e psikologjike nga bashkëshorti dhe familjarë të tij, tregon se në mungesë të përkrahjes nga shteti disa herë qe e detyruar të kthehet sërish te dhunuesi.
“Moszgjidhja më ka ba dhe më ka detyruar bashkë me fëmijët e mi m’u kthy prapë për herë të parë të familja e ish-burrit dhe në herë të dytë edhe në herë të tretë”, ka treguar gruaja që bashkë me fëmijët është e strehuar në qendrën në Prishtinë.
Qendra është adresë e përkohshme për gratë dhe fëmijët që i nënshtrohen dhunës në familje.
Drejtoresha e saj, Zana Hamiti, thotë se viktimat përballen me shumë sfida, pas gjashtë muajsh sa mund të qëndrojnë në strehimoren që ajo e drejton.
“Pjesa më sfiduese është riintegrimi i tyre në shoqëri, pas dhunës ose saktësisht pas strehimores. Është pak e vështirë. Ende në këtë komponentë nuk është duke u punuar aq sa duhet”, ka thënë Hamiti. “Ndihma më e madhe që duhet t’u jepet viktimave për të mos i viktimizuar, është të mos kthehen te abuzuesi prapë, është riintegrimi i tyre dhe banimi social”.
Vetëm Komuna e Prishtinës ka ofruar subvencionim deri në 500 euro në muaj për të mbuluar shpenzimet e qirasë për viktimën.
Drejtoresha Hamiti thotë se edhe kjo përpjekje është shoqëruar me barriera.
“Vetë viktima nuk ka mjete që të paguajë qiranë për dy-tre muaj derisa të sistemohet mirë, pastaj ta bëjë një kontratë të noterizuar dhe të aplikojë për subvencionime”, ka theksuar ajo. “Njëri prej kritereve është që vetë viktima duhet ta gjejë banesën, të bëjë kontratë te noteri që edhe kjo pjesë nuk është e lehtë, e sidomos për viktimat që janë ende të strehuara këtu dhe prej strehimores të rregullohet kjo sfidë, po paraqet pak probleme”.
Në Kosovë funksionojnë strehimore vetëm në rajone. Kësisoj, në atë të Prishtinës sistemohen viktimat e dhunës në familje, edhe të pesë komunave të tjera.
Në Rrjetin e Grave të Kosovës ankohen se komunat nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme financiare për këto qendra.
“Pra, nuk e shohin të rëndësishme të gjitha të buxhetojnë për strehimore dhe ta mbështesin strehimoren, prandaj, shpesh kemi pasë situata ku strehimoret kanë qenë të rrezikuara të mbyllen për disa muaj apo për një kohë që prapë ka ndikuar në rrezikshmërinë e lartë të grave, të cilat kanë nevojë për strehim”, ka thënë Adelina Berisha, aktiviste në Rrjetin e Grave të Kosovës.
E, një nga viktimat që me fëmijët e saj është në strehimoren e Prishtinës, ka treguar për neglizhencën dhe mosinteresimin e mjaftueshëm që institucionet treguan, kur ajo u përball me dhunën.
“Ai (ish-bashkëshorti v.j.) na ka bërë mua dhe fëmijëve të mi me trauma, tronditje, me ç’rast unë kam shkuar në Polici... Policia kur kam shku për herë të parë që e kam lajmëru rastin, e edhe Sociali, më kanë thënë: ‘Mos prit prej neve, mos prit prej neve’. Prej kujt unë me pritë? Unë familje nuk kam”, thotë ajo.
Kjo viktimë, ndonëse është e strehuar aktualisht, ka një breng – nuk di ku të shkojë pasi t’i bëjë gjashtë muaj në qendër.
“Nuk kam zgjidhje, nuk kam vendbanim, nuk kam vetë-punësim, nuk mund t’i çojë djalin dhe çikat e mia nëpër çerdhe. Unë nuk kam zgjidhje, pos në strehimore. Strehimorja është për një kohë të shkurtër, nuk është afatgjate. Unë jam e gatshme të punoj, jam e gatshme t’i çoj fëmijët e mi nëpër shkolla, nëpër çerdhe, por nuk kam përkrahje”, është ankuar ajo.
Bazuar në statistikat e Policisë, në periudhën janar-mars të këtij viti janë raportuar 698 raste të dhunës në familje, në të cilat 573 nga viktimat janë gra.