Në atë që është quajtur draftopinion parafinal, të cilin e ka parë KOHA, drita e gjelbër nuk jepet për vetting të plotë, siç ishte menduar fillimisht, e janë gjetur edhe mangësi në draftligjin për Byronë. Komisioni i Venecias ka thënë se ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për verifikim të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial. Pavarësisht kësaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme ka përsëritur se “do të ketë vetting të plotë dhe siç duhet”. Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar “fillim të ri për sundim të ligjit”. “I gëzohem sot, po aq sa ju, fillimit të ri për sundimin e ligjit dhe kthimin e besimit të të gjithë neve në pushtetin gjyqësor”, ka thënë ai
Epokë të re e kanë vlerësuar vettingun kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shtunën, pasi kanë marrë rekomandimet e Komisionit të Venecias për koncept-dokumentin për vetting në drejtësi dhe draftligjin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Të dy kanë thënë se Komisioni i Venecias u ka dhënë mbështetje të plotë iniciativave të Qeverisë së Kosovës. Por nuk është krejt kësisoj.
Në atë që është quajtur draftopinion parafinal, të cilin e ka parë KOHA, drita e gjelbër nuk jepet për vetting të plotë, siç ishte menduar fillimisht, e janë gjetur edhe mangësi në draftligjin për Byronë.
Komisioni i Venecias ka thënë se ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për verifikim të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
“Për ta përmbledhur, Komisioni i Venecias rekomandon futjen e ndryshimeve legjislative që do ta përmirësonin sistemin aktual të disiplinës gjyqësore, si një zgjerim i Opsionit 2, kjo ka të bëjë veçanërisht me forcimin e sistemit të deklarimit të pasurisë dhe forcimin e njësive të verifikimit brenda KGJK-së dhe KPK-së. Ndryshimet kushtetuese (Opsioni 5) duhet të merren parasysh vetëm për verifikim të integritetit për pjesëtarët e KPK-së dhe KGJK-së”, thuhet në përfundimet e draftopinionit parafinal.
KOHA pati raportuar qysh në prill se një nga përfundimet e draftopinionit të parë të Komisionit të Venecias ishte rekomanduar që verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëhet nga mekanizmat përbrenda KPK-së e KGJK-së.
Sipas Komisionit të Venecias, në kontekstin e Kosovës ,“‘vettingu’ efektiv do të kërkonte domosdoshmërisht nevojën e kombinimit të masave të ndryshme, që do të kenë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”.
“Edhe nëse ky lloj vettingu nuk korrespondon domosdoshmërisht me përkufizimin formal, të gjitha masat e ndërmarra së bashku janë pjesë e një reforme gjyqësore që përbën një ‘vetting’ të aspiruar në mënyrë legjitime nga populli dhe autoritetet e Kosovës, që është në gjendje t’i japë rezultatet e kërkuara”, thuhet në draftopinionin final, që, sipas ministres Haxhiu, do të publikohet më së largu të martën.
Ministrja Haxhiu e ka pranuar se Komisioni ka rekomanduar që të ketë verifikim të niveleve më të larta përmes një mekanizmi të jashtëm. Megjithatë ka shtuar se pas kësaj do të vazhdohet me “vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga këshilltarë tashmë të verifikuar”. Pavarësisht kësaj, ajo ka përsëritur se “do të ketë vetting të plotë dhe siç duhet”.
“Nëse shihni deklarimet e mia publike, e kemi theksuar në vazhdimësi nevojën që verifikimi i integritetit profesional, moral dhe i pasurisë të bëhet nga nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë. Kjo është një arritje e madhe për drejtësinë dhe shumë e rëndësishme për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pra vetting do të ketë së pari duke filluar nga krerët e sistemit të drejtësisë e më pas do të garantohet kontrolli permanent i integritetit për të gjithë sistemin. Pra trupat që do të verifikohen nga një trupë profesionale e pavarur do ta marrin mandatin për verifikimin e integritetit të secilit prokuror e gjyqtar në Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo në konferencën për media, të mbajtur në mesditën e së shtunës.
Mangësi më të mëdha janë gjetur në draftligjin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Aty Komisioni i Venecias ka thënë se krijimi i një mekanizmi të tillë do të mund të kishte rëndësi për të siguruar masa për zhvillimin ekonomik të vendit, megjithatë ka thënë se procedurat e konfiskimit duhet të rregullohen e implementohen në pajtim me Kushtetutën.
“Disa bashkëbisedues të raportuesve argumentuan se numri i ulët i konfiskimeve të kryera deri më tani mund të shpjegohej kryesisht me zbatimin e mangët të ligjit aktual, në vend të mangësive në vetë legjislacionin”, thuhet ndër të tjera në opinionin e Komisionit të Venecias për këtë draftligj.
Dyshime për komplikim të sistemit
Ky komision ka hedhur dyshime nëse një organ i ri do të mund ta përmirësonte luftën ndaj korrupsionit apo do ta komplikonte më shumë sistemin.
“Është edhe më tej e dyshimtë nëse formimi i një trupi të ri do ta bënte më efektive luftën kundër korrupsionit – ose do ta komplikonte tërë sistemin në të cilin tashmë janë të përfshirë një numër trupash, siç janë policia, shërbimi prokurorial, autoritetet e taksave dhe doganave dhe Agjencia Kundër Korrupsionit”, thuhet në draftopinionin parafinal.
Teksa ka thënë se një legjislacion i tillë është i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut, Komisioni i Venecias ka konkluduar se ai mund të pranohet vetëm nëse ndërtohet mbi një mekanizëm të pavarur me të gjitha fuqitë dhe burimet e nevojshme për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. I ka konsideruar të pamjaftueshme dispozitat aktuale në draftligj në këtë drejtim.
Ky komision ka renditur gjashtë rekomandime, me njërin nga to që thekson se duhet të ketë garanci të forta mbi pavarësinë e Byrosë dhe sigurimin e personelit të specializuar.
Për të gjitha të metat e identifikuara dhe rekomandimet, ministrja Haxhiu ka thënë se Komisioni i Venecias e ka njohur Byronë si mekanizëm e se e ka mbështetur kontestin e debatit civil. Ka shtuar se Komisioni ka propozuar që Komisioni i përzgjedhjes së drejtorit të Byrosë duhet të ketë përfaqësues të institucioneve të pavarura.
Ajo ka thënë se për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për çka ka pasur kundërshtime nga opozita, tashmë do të ketë takime për të arritur konsensus.
Ndryshe nga politika, ndryshe nga juristët
Kryeministri Kurti është zotuar se të gjitha ato që kërkohen nga Qeveria për t’i avancuar dy çështjet, do t’i dërgojë në afat rekord në Kuvend “...pasi që reforma më nuk mund të presë e qytetarët më nuk mund të durojnë”. “I gëzohem sot, po aq sa ju, fillimit të ri për sundimin e ligjit dhe kthimin e besimit të të gjithë neve në pushtetin gjyqësor”.
Për Byronë, kryeministri Kurti ka thënë se Komisioni i Venecias “jo vetëm që na ka treguar afinitet të plotë, por ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave të mekanizmit për verifikimin e pasurisë së pajustifikuar”.
Ehat Miftaraj nga Institutit i Kosovës për Drejtësi i ka quajtur interesante deklarimet e Qeverisë për dy opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat ka thënë se po kuptohen ndryshe nga politika dhe ndryshe nga juristët.
“Vetting po, por jo si është kërkuar. Sidoqoftë, fillim i mirë dhe tash kërkesa të zbatohet në praktikë pikë për pikë sipas rekomandimeve në opinion. Sfida, të binden partnerët ndërkombëtarë dhe konsensusi politik. Byroja, jo siç është propozuar. Propozimi i Qeverisë – të meta të mëdha që cenojnë sigurinë juridike, cenojnë sistemin aktuale, cenojnë të drejtat dhe liritë themelore, sipas Komisionit të Venecias”, ka shkruar ai të shtunën në Facebook.
Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Në Vetëvendosje është folur gjatë për vettingun. Ky proces ka qenë një prej shtyllave kryesore për të cilat ka folur kryeministri Albin Kurti në fushatë. Përfaqësuesit e partive të tjera, jo që nuk i ofruan përkrahje, por shfaqën skepticizëm të hapur për atë se vettingu do të politizohej nga VV-ja.
Kundër pati dalë edhe Bashkimi Evropian, me arsyetimin që vettingu është mjeti i fundit që do të duhej të përdorej, e publikisht nuk e mbështeti as Ligjin për konfiskim.
“Ne nuk e shohim vettingun si diçka që duhet të jetë gjëja e parë për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë. Vettingu është mjeti i fundit. Pra, nëse asgjë nuk funksionon, atëherë duhet të përdoret vettingu”, pati deklaruar vitin e shkuar shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në kohën kur nisën diskutimet e para mbi vettingun.
Vettingut kundër i dolën edhe Këshilli Gjyqësor e edhe Këshilli Prokurorial.
Me Ligjin për Byronë, Qeveria synon ta themelojë një institucion që do të kishte për bazë të punës verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kjo byro do të bëjë kërkesë për konfiskim të pasurisë në Gjykatë.
Në llupë të saj do të jenë të gjithë zyrtarët publikë dhe ata të ekspozuar politikisht, tek e cila kategori do të hyjnë edhe ata me funksione në organizata ndërkombëtare në vend. Persona zyrtarë që mund t’i nënshtrohen këtij ligji janë ata që kryejnë punë zyrtare në organe shtetërore, personat e zgjedhur në institucione dhe ata ushtarakë. Barra e provës për të dëshmuar se pasuria është e justifikueshme i mbetet palës së dyshuar. Konfiskimi do të bëhet në procedurë civile. Pra me këtë ligj s’do të ketë dënime për zyrtarët, veçse pasuria e pajustifikueshme mund të konfiskohet. Po ashtu është bërë e ditur se si procedurë në Byro, nëse vërehet se s’ka mospërputhje mes të hyrave dhe pasurisë dhe ajo s’e tejkalon vlerën 25 mijë euro, propozohet mbyllja e rastit. Ndërsa nëse tejkalohet ajo vlerë, propozohet dërgimi i çështjes në Gjykatë për konfiskim. Të gjitha këto bazuar në draftligj, për të cilin të meta e mangësi ka gjetur Komisioni i Venecias.
Interpretimin e Komisionit të Venecias për procesin e vettingut e kishte kërkuar Ministria e Drejtësisë, ndërsa për Byronë, kryeparlamentari Glauk Konjufca.