Është finalizuar drafti i parë i Koncept-dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë. Dokumenti 225-faqësh i siguruar nga KOHA ofron pesë opsione, dy nga të cilat rekomandohen për zbatim. Të dyja kërkojnë që të parët që do t’i nënshtrohen procesit, të jenë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
Ministria e Drejtësisë ka finalizuar draftin e parë të koncept-dokumentit që parasheh zbatimin e vetingun në gjykata e prokurori. Ai është produkt i analizimit të vetingut që kanë aplikuar 9 shtete dhe mbështetet në 20 standarde ndërkombëtare.
Dokumenti 225-faqësh, i siguruar nga KOHA, ofron pesë opsione, dy nga të cilat rekomandohen për zbatim – ndryshimi i Kushtetutës, e në pamundësi të kësaj, nxjerrja e një ligji të veçantë.
Të dyja opsionet kërkojnë që njerëzit të cilët janë në majë të sistemit të drejtësisë, t’i nënshtrohen të parët vetingut qysh në valën e parë, që nis me t’u konstituuar institucionet, që do të menaxhojnë me procesin.
“Ligji do të parashohë një plan kohor tentativ të zhvillimit të valës së parë të vetingut. Fillimisht, duke qenë se të gjitha vendimet meritore merren nga vetë këshillat, është tejet e rëndësishme që procesi të fillojë me vetingun e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës”, thuhet në dokument. “Krahas kësaj, është e rëndësishme që në të njëjtën kohë të funksionalizohet edhe mekanizmi i apelimit para Gjykatës Supreme, me gjyqtarë të vetuar, të cilët do të adresonin ankesat potenciale të anëtarëve KGjK/KPK-së”.
Për ta mundësuar këtë, sipas dokumentit, është e rëndësishme që të ruhet funksionaliteti i Këshillave, ndërkohë që bëhet vetingu i tyre.
Nga momenti i funksionalizimit të mekanizmit për vetingun, është paraparë të fillojë faza hulumtuese apo vetuese për fazën e parë të këtij procesi, përkatësisht, për të gjithë anëtarët e KGjK-së dhe KPK-së. Kjo parashihet të bëhet për gjashtë deri nëntë muajt e parë të punës së tyre. Në të njëjtën kohë, kjo fazë e hulumtimit, sipas dokumentit, fillon edhe për të paktën pesë anëtarë të Gjykatës Supreme nga ana e mekanizmit të krijuar përbrenda KGJK-së dhe Kryeprokurorin e shtetit nga mekanizmi përbrenda KPK-së.
“Sapo të arrihet vetimi i anëtarëve të këshillave dhe Panelit që shqyrton ankesat ndaj shkarkimit pranë Gjykatës Supreme, do mund të kalohet në fazën e dytë të vetingut, ku fillimisht do vetohet Gjykata Supreme në tërësi dhe do pritet zëvendësimi i gjyqtarëve potencialisht të shkarkuar. Pas kësaj, Gjykata e Apelit/Prokuroria e Apelit do i nënshtrohet vetingut dhe propozimet potenciale për shkarkim do mund të paraqiten përnjëherë në numra deri në 3 gjyqtarë/prokurorë, për të mos bllokuar në tërësi punën në këto institucione”, thuhet në koncept-dokument. “Kjo fazë do përfshijë edhe Kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët”.
E, në fazën e tretë është paraparë të vazhdohet me vetingun e Kryetarëve të Gjykatave Themelore dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, gjyqtarëve mbikëqyrës dhe pastaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave dhe prokurorive themelore si dhe Prokurorisë Speciale.
Në kuadër të valës së parë të vetingut do hyjnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të cilët rekrutohen brenda kësaj periudhe kohore.
Pas këtyre tri fazave të valës së parë, llupa do të mbahet gjatë gjithë kohës mbi gjyqtarë e prokurorë.
Kategoria e kandidatëve për rekrutim do të vetohet gjatë procesit të rekrutimit si gjyqtarë/prokurorë, që do përfshijë fazën e vlerësimit të integritetit, arritjeve profesionale dhe kontrollimit të pasurisë si parakusht për të qenë pjesë e sistemit.
Krahas kësaj, në dokument theksohet të jetë shumë e nevojshme që para marrjes së detyrës së re të të njëjtëve t’iu analizohet integriteti, performanca dhe pasuria. Megjithëkëtë, gjyqtari ose prokurori që kandidon për avancim dhe i është nënshtruar vetingut në dy vitet e fundit para avancimit, nuk do të ketë nevojë t’i nënshtrohet atij sërish.
Gjyqtarët dhe prokurorët sipas radhës parashihet të vetohen në baza periodike, në përputhje me legjislacionin përkatës, në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe prokurorial të filtrohet në baza të rregullta.
Po ashtu, veting periodik, në baza dyvjeçare është paraparë të zhvillohet edhe për administratorët, Drejtorët e Sekretariateve të KGJK-së dhe KPK-së, si dhe Drejtorin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor.
Opsioni në draftin e koncept-dokumentit që parasheh realizimin e vetingut vetëm nëpërmjet nxjerrjes së ligjit të veçante, përmban masat që mund të ndërmerren ndaj personave që i nënshtrohen procesit.
Mund të propozojnë dy lloje të masave për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët nuk kalojnë vetingun.
“Në përputhje me instrumentet ndërkombëtare, të analizuara më sipër, propozimi për shkarkim duhet të vijë vetëm si rezultat i shkeljeve më serioze të detyrës”, thuhet në dokument. “Propozimi për masa tjera: Shqiptimi i këtyre masave mund të parashihet për rastet kur kandidati ka marrë vlerësime negative në disa aspekte të performancës së tij, por të cilat nuk janë të mjaftueshme të detyrojnë shkarkimin e tij”.
Struktura e trupës që do ta udhëheqw vetingun, por edhe kompetenca e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të varet nga ajo se cili opsion do të kalojë në Kuvend. Në rast se vetingu bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, atëherë kreu i shtetit është obligohet t’i shkarkojë ata që nuk do të kalojë në këtë proces.