Arbëri

Vetëvendosje nuk ka plan B nëse nuk arrihet marrëveshja me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje nuk e konsideron ultimatum qëndrimin e LDK-së se gjatë kësaj jave duhet të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje.

Arbërie Nagavci, nga partia e Albin Kurtit, thotë se nuk kanë plan tjetër për marrëveshje, përveçse me LDK-në.

Si në çdo paraqitje, edhe kësaj radhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, është shprehur optimiste për arritjen e marrëveshjes.

Edhe LDK-ja thotë se nuk synon asnjë bashkëpunim tjetër, por vetëm me Vetëvendosjen.

Vizitat e ambasadorëve të huaj nëpër zyrat e partive politike janë shpeshtuar ditëve të fundit.

Në LDK, gjatë së mërkurës, ishte shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila i kërkoi formim të shpejtë të Qeverisë.

Të dyja partitë nuk i konsiderojnë si presion të ndërkombëtarëve vizitat e diplomatëve në Vetëvendosje e LDK.

Takimi i fundit ndërmjet dy liderëve të partive, Albin Kurtit e Isa Mustafës, është zhvilluar më 9 janar.