Me një video që tregon disa prej aksioneve të institucioneve të Kosovës në veri, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur “parafushatën zgjedhore” me veriun e Kosovës.
Në video është përdorur si audio një pjesë të fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, të vitit 2015 nga Manifestimi i Lëvizjes Vetëvendosje kundër “‘Zajednicës’ dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”.
Vetëvendosje ka thënë se në qeverisjen katërvjeçare ka treguar “guxim dhe përkushtim”.
“Ndryshimet e mëdha fillojnë me guxim. Qytetarët e Republikës tonë dhe qeveria e tyre kanë treguar guxim dhe përkushtim, kanë treguar se si bashkë arrihet dhe fitohet ajo që synojmë e që është e domosdoshme për të gjithë”, thuhet në përshkrim të videos së publikuar në Facebook nga VV-ja.
Në video shihen pamje të Kurtit në veri, të vendosjes së stemës së Kosovës në objekte, pamje të largimit të terroristëve pas sulmit në Banjskë, të qytetarëve në Ujman e të disa bizneseve të reja në veri.
Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.