Anulim të afro 19 mijë votave me postë të LDK-së dhe shpallje të rivotimit me postë në diasporë ishin ndër ankesat që Lëvizja Vetëvendosja i deponoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në orën e fundit të afatit të ligjshëm për ankesa, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare zgjedhore e që do të duhej të hapte rrugë për certifikimin final.
Blerim Sallahu dhe Alim Rama njoftuan se kanë dërguar “20 faqe” ankesë me, siç pretendojnë, “prova të manipulimeve” të votave nga LDK-ja.
Lëvizja Vetëvendosje e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura javën që lam pas nga KQZ, kishin fituar 42,3% të votave, nuk po e pranon këtë rezultat. Ata janë ankuar sërish në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
"Për shkak të manipulimeve dhe keqpërdorimeve të shumta nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe personat e angazhuar prej këtij subjekti, votimi me postë ka pasur një adresë të vetme – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky proces ka qenë i organizuar në mënyrë të manipuluar, masive dhe kolektive nga të njëjtët persona, me të njëjtin laps, të njëjtën ngjyrë dhe të njëjtat duar", tha Blerim Sallahu. "Gjithashtu, që nga faza e regjistrimit të votuesve – ku qindra prej tyre janë regjistruar me të njëjtin numër telefoni – e deri te plotësimi dhe dërgimi i fletëvotimeve, ky proces ka qenë një organizim manipulativ i njerëzve të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe strukturën e saj".
Sallahu tha se Vetëvendosje i ka paraqitur PZAP-së tri kërkesa kryesore.
"Anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar; Rivotim me postë; Largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së".
Sekretari i LVV-së, Alim Rama, ka përmendur si shembull ilustrues faktin e ndryshimit drastik të numërimit të votave me postë në rastin e kandidatit Hysen Çekaj.
“Te votimi me postë disa kandidatë që kanë qenë shumë poshtë në listë dalin ndër të parët. Hysen Çekaj prej numrit 26 del i pari, kandidati i dytë më i votuar në Kosovë. Ndërsa pas kërkesës sonë për përfshirjen e votave me probleme teknike, ku aty shihet qartë që fletëvotimet kanë qenë të shtypura në kushte të shtëpisë në krahasim me këto të tjerat që janë shtypur me inxhiniering, në mënyrë të fabrikuar, shihet qartazi një shpërndarje po ashtu krejt normale, ku kandidati Hysen Çekaj dhe këta të tjerët dalin krejt shumë poshtë”, ka thënë Rama.
Dy anëtarët e LVV-së thanë se e kanë paraqitur rastin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por nuk kanë ndonjë informatë nëse ka nisur ndonjë hetim.
Pos Hysen Çekajt, në listën e shpërndarë nga anëtarët e LVV-së janë të nënvizuar me ngjyrë edhe emrat e Gazmend Muhaxherit, Bahrije Hysenit, Alban Zogajt, Jeta Rafuna-Hasanit, Fatmir Asllanit, Qëndrim Softollit dhe Berat Rukiqit – si kandidatë që kanë dalë në 12-shen e parë të votave me postë, por që shumica me përjashtim të Muhaxherit nuk janë në 12-shen e më të votuarve në përfaqësi diplomatike dhe në Kosovë.
VIDEO:
LDK-ja reagon pasi VV-ja u ankua në PZAP duke kërkuar anulimin e afro 19 mijë votave të saja
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kërkuar anulimin e afro 19 mijë votave me postë të LDK-së, rivotimin sa i përket votimit me postë dhe ndalimin e kandidimit të kandidatëve që kanë manipuluar.
LDK-ja ka thënë se kjo ankesë e VV-së vjen vetëm pasi nuk e pëlqen rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit
“Kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve tanë në mërgatë përbën një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor. Pikërisht përfaqësuesit politikë të kësaj partie, të emëruar nëpër ambasada dhe konsullata, janë ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës në zyra e korridore. Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar. Për më tepër, ka prova të shumta mbi vetë-inkriminimin publik të aktivistëve të Vetëvendosjes në mbushjen masive të fletëvotimeve të mërgatës. Nëse duhet të shqyrtohet anulimi i ndonjë vote për shkak të parregullsive, pikërisht këto raste duhet të jenë objekt i një hetimi të plotë dhe të paanshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja tha se “është paradoksale dhe thellësisht hipokrite” që kjo kërkesë për anulimin e votave të mërgatës të vijë pikërisht nga Vetëvendosje.
“Një subjekt politik që në zgjedhjet e vitit 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga ‘mërgata’ serbe, duke kërkuar në Gjykatën Supreme që ato vota të pranoheshin si të rregullta. E njëjta parti sot kërkon anulimin e votave të diasporës shqiptare – natyrisht, vetëm atyre që janë në favor të LDK-së – dhe, njëkohësisht, synon të ndalojë kandidimin për deputet të z. Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj”, thuhet në reagimin.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike për ta mbrojtur integritetin e votës së saj, brenda dhe jashtë vendit.
“Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet sa herë që rezultati zgjedhor nuk përputhet me interesat e Vetëvendosjes”, thuhet në reagim.