Arbëri

Vetëm gjatë vikendit u arrestuan 14 persona për përdorim të armëve pa leje në ahengje

Arma

Policia e Kosovës gjatë muajit korrik ka kryer aksione në së paku 50 raste, për përdorimin dhe mbajtjen e palejuar të armëve. Vetëm gjatë vikendit janë arrestuar 14 persona për përdorimin e armëve në ahengje familjare. Psikologët theksojnë se kjo mënyrë e të festuarit, pos tjerash krijon model të keq për fëmijët

14 persona u arrestuan gjatë vikendit për përdorim të armëve në ahengje familjare, ka bërë të ditur Policia e Kosovës të hënën. 

Në njoftim, thuhet se 6 prej tyre u arrestuan në fshatin Koshare të Ferizajt, të cilëve edhe u janë sekuestruar armët dhe municioni.

“Policia i ka shoqëruar shtatë persona në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj,  gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të tjera hetimore, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysmautomatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

E pesë persona të tjerë janë arrestuar në rajonin e Pejës. Atyre u janë konfiskuar 4 pistoleta. Dy të tjerë janë arrestuar në Gjakovë, e një në Prizren.

Në Kamenicë, një person ka pësuar lëndime si pasojë e shkrepjes së armës gjatë një ahengu familjar. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, e atij i janë konfiskuar 2 armë zjarri. 

Sipas të dhënave të policisë, vetëm gjatë muajit korrik, janë rreth 50 raste ku janë konfiskuar armë zjarri të mbajtura pa leje. Shumica prej tyre edhe janë përdorur në festa.

Psikologu Rron Kastrati u shpreh se përpos plagosjeve që mund të ndodhin nga shkrepja me armë në ceremoni të ndryshme, u jepet edhe një model i keq fëmijëve.

“Sipas pikëpamjes së tij, kjo sjellje është e lejuar, e natyrshme dhe në të tilla raste mund të modelohet dhe formësohet si shprehi dhe veprim që edhe fëmiju mund ta eksperimentoj në momente të caktuara, por jo në dasma”, tha Kastrati. 

Nga fillimi i korrikut, policia ka ndërmarrë një fushatë vetëdijesuese për mospërdorimin e armëve në festa dhe ceremoni të ndryshme familjare, të cilat në muajt e verës janë më të shpeshta.