Arbëri

Vetëm dy gjoba për shoferët që ngisnin makinat me patenta jovalide

Një javë pas mbylljes së afatit për konvertimin e patentë shoferëve nga ilegalë në ata të Kosovës, Policia ka shqiptuar dy gjoba për qytetarët serbë që janë hasur tek ngasin veturë me dokumente jovalide. Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se numri i ulët i gjobave e përbën një dëshmi për vetëdijesimin e qytetarëve në veri mbi nevojën e pajisjes me dokumente valide

Për afro një javë, qëkur mori fund afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në ata të Republikës së Kosovës, Policia i ka shqiptuar vetëm dy gjoba për qytetarët serbë që janë hasur duke i ngarë veturat me dokumente jovalide. 

Zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia është duke i vazhduar kontrollimet për respektimin e masës. 

“Që nga përfundimi i afatit për aplikim për konvertim të patentë shoferëve nga ata jo legal në ata RKS ne kemi shqiptuar vetëm dy gjoba për persona që në posedim të tyre, nuk kishin patentë shoferët valid. Konsiderojmë që procesi i konvertimit të patentë shoferëve i lejuar me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme ka përfunduar me sukses”, ka thënë Elshani. 

Tek e vlerësoi të ulët numrin e gjobave të shqiptuara, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, tha se ky fakt flet për vetëdijesimin e qytetarëve serbë në veri mbi nevojën e konvertimit të patentë shoferëve. 

“Republika e Kosovës ose organi i sigurisë publike është një polici demokratike, e cila ka shkuar gjithmonë me politikë të butë, në koncept të Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh edhe sensibilitetitn që ka qenë matanë lumit Ibër dhe këto gjoba janë të merituara. Qytetarët në katër komunat janë shumë të vetëdijesuar, i dinë rregullat e trafikut, të sigurisë, dhe këto dy gjoba tregojnë që ka vetëdijesim”, ka thënë ai. 

Sipas agjencisë së Shërbimit Civil, 6 mijë e 509 qytetarë serbë kanë aplikuar në total për ta bërë konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale serbe, në ata të Kosovës. 

Ministria e Punëve të Brendshme pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’ua lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS, pa pasur nevojë që t’i nënshtrohen riprovimit. 

E vendimi i Qeverisë dhe i Ministrisë për t’u mundësuar serbëve lehtësira për pajisje me patentë shoferë të Kosovës është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia.