Arbëri

Vetëm 7-përqindëshi i maturantëve romë, ashkali dhe egjiptian vijojnë studimet

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Të përballur me gjendje të vështirë ekonomike, pas përfundimit të maturës shumë të rinj të komuniteteve rom, ashkali, dhe egjiptian i drejtohen shteteve të perëndimit, me synimin për të gjetur një vend pune. Nga këto komunitete, në UP aktualisht ka gjithsej 145 studentë të regjistruar. E aktivistë të shoqërisë civile treguan se më pak se 7 për qind e atyre që nisin shkollimin, i vazhdojnë edhe studimet universitare

Rrahman Stollaku është një aktivist nga Fushë Kosova që i përket komunitetit ashkali dhe synon ta rrisë numrin e bashkëkombësve të tij që të regjistrohen në universitet, pasi ta kryejnë shkollimin e mesëm të lartë.

Ai ankohet se hapësira i është ngushtuar. Fjala tani nuk po i shkon as në familje, meqë i biri la fakultetin në gjysmë për të kërkuar punë në Perëndim. 

“Të rinjtë kanë ikur shumë. Njëri prej tyre është dhe djali im, i cili e ka lënë fakultetin në gjysmë dhe ka shkuar e ka migruar në Zvicër”, ankohet Stollaku. “Ka menduar për një jetë më të mirë se në Kosovë, sepse po e shohim se shumica e të rinjve po kryejnë fakultet dhe nuk gjejnë vende të punës”.

Të përballur me gjendje të vështirë ekonomike, pas përfundimit të maturës, shumë të rinj të komuniteteve ashkali, rom e egjiptian po u drejtohen shteteve të Perëndimit, me synimin për të gjetur një vend pune.

Bajram Ilazi është koordinator i programit të edukimit në organizatën Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, dhe tha se më pak se 7 për qind e atyre që nisin shkollimin, i vazhdojnë edhe studimet universitare.

“Jemi duke bërë përpjekje vazhdimisht që ta ngremë motivimin e tyre dhe gjithashtu t’ua tregojmë mundësitë që studimet mund t’i vazhdojnë edhe jashtë, por njëherë duhet t’i ndjekin procedurat e studimeve këtu dhe mos të përdorin rrugë të tjera, të cilat mund të jenë të dëmshme për karrierën dhe jetën e tyre”, thotë Ilazi.

Trend i ngjashëm me Fushë Kosovën është edhe në Lipjan. Bazuar në regjistrimin e popullsisë të një dekade më parë, në këtë komunë jetojnë rreth 2 mijë ashkali, rreth 350 romë dhe 4 egjiptianë. 

Por, nga këto komunitete që jetojnë në Lipjan, janë vetëm katër studentë të regjistruar në Universitetin më të madh publik të Kosovës, atë të Prishtinës.

Nënkryetari për komunitete në këtë Komunë, Lulzim Qerimi, shprehu brengën për këtë situatë. 
“Synimin e kanë te vendet e Perëndimit, andaj edhe kjo ndoshta është ndër shkaqet kryesore, sepse ata në momentin që e përfundojnë shkollën e mesme po shikojnë që të dalin jashtë dhe nuk i japin rëndësi studimit dhe vazhdimit të studimeve”, ka thënë Qerimi.

Gjatë afatit të regjistrimit të studentëve, universitetet publike publikojnë kuota të rezervuara për komunitetet.

Në Universitetin e Prishtinës treguan se aktualisht janë të regjistruar gjithsej 154 studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe se 30 të tjerë kanë braktisur studimet. Në këtë institucion theksuan përkushtimin që të ofrojnë një mjedis të barabartë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë studentët e saj.

“Aplikimi i masave afirmative dhe vendeve të rezervuara respektohet në përpikëri nga Universiteti i Prishtinës për pranimin e studentëve nga komunitetet joshumicë. UP-ja është e përkushtuar që të ofrojë një mjedis të barabartë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë studentët e saj dhe ka realizuar bashkëpunime me institucione dhe organizata të ndryshme që ndihmojnë dhe promovojnë barazinë dhe gjithëpërfshirjen e komuniteteve”, thuhet në një përgjigje të këtij universiteti.

Edhe aktivistë që avokojnë për mbrojtjen e të drejtave të të tria komuniteteve, u bënë thirrje të rinjve që t’i regjistrojnë studimet, me qëllimin për t’i rritur shanset edhe për punësim e edhe për përfaqësim më meritor.