Arbëri

Vetëm 6 nga 37 klinikat e QKUK-së kanë profesionistë të shëndetit mendor

Shumë nga pacientët e shtrirë në QKUK nuk e kanë mundësinë e konsultimit me profesionistët e shëndetit mendor, në fazat kur gjendja emocionale u rëndohet. Nga 37 klinikat e QKUK-së, vetëm gjashtë prej tyre kanë të angazhuar psikologë

Qindra pacientë brenda ditës drejtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të problemeve të ndryshme shëndetësore, përmes kontrolleve, e edhe hospitalizimit. 

Por jo të gjithë e kanë mundësinë që rëndesën emocionale me të cilën përballen gjatë diagnostikimit e kurimit të sëmundjes, ta ndajnë edhe me një profesionist të shëndetit mendor.

Një paciente që gjatë javës së shkuar u trajtua në Klinikën e Endokrinologjisë, tha se gjatë qëndrimit në spital do ta mirëpriste mbështetjen psikologjike.

“Unë jam që një javë ditë. Jam me diabet... Ish dashtë me ardhë dikush se secila që shkon aty është e stresuar dhe për psikolog ka nevojë”, ka thënë kjo paciente.

Edhe familjarë të disa prej pacientëve ia kanë shprehur KOHËS nevojën për këshillim psikologjik. 

Vetëm gjashtë nga 37 klinikat e QKUK-së kanë të punësuar psikologë klinikë. Njëra prej tyre është ajo e Onkologjisë, ku trajtohen sëmundjet e kancerit. Në vit marrin trajtim rreth 300 pacientë, e me ta punon vetëm një psikologe klinike. 

Psikologja Fatime Fazliu tha se brenda ditës arrin t’i presë për konsultë katër raste, pacientë e familjarë të tyre. Ajo thekson rëndësinë e shëndetit mendor gjatë ballafaqimit të pacientëve me sëmundjen dhe tregon se mohimi apo mospranimi i sëmundjes, pastaj ankthi, frika e pasiguria janë disa nga gjendjet emocionale që ata i përjetojnë gjatë kësaj periudhe.

“Nëse një pacient është bërë operacion dhe ka shku dy-tre muaj nuk e ka marrë kemioterapinë, atëherë atij ka mundur t’i vështirësohet gjendja e shëndetit fizik, kështu që kur ai ka rënë në kontakt menjëherë, është shkurtuar faza e mohimit, ka kaluar në fazën e realitetit objektiv. Normal nuk ka qenë fazë e lehtë, e pastaj është faza e dytë ku pacienti ka shumë ankth me frikë, çka do të ndodhë me atë, çka do të ndodhë me shëndetin fizik, çka do të ndodhë nëse është i martuar me anëtarët e familjes, çka do të ndodhë me fëmijët”, ka thënë Fazliu.

Ajo tregon se pacientët më shpesh referohen nga njëri-tjetri sesa nga profesionistët shëndetësorë.

“Ka edhe raste sporadike kur referohen edhe prej mjekëve, besa-besa në një pjesë referohen edhe prej infermierëve, duke e pasë parasysh që ata e kanë kontaktin e parë me pacientin në sallat e kemios. I identifikojnë ato raste të cilat i shohin që janë pak në aspektin emocional më të ngarkuar ose janë raste të reja”, ka thënë ajo. “Në spitalet në botën perëndimore, psikologu është edhe për pacientët, por është edhe për stafin, për të mbajtur trajnime se si menaxhohet stresi, si menaxhohet ankthi, si menaxhohen ndoshta konfliktet në komunikim dhe ndoshta për shumë X arsye të tjera, por mendoj se duhet të shtohet numri. Por, sot në këtë pozitë ku jemi, unë mendoj se duhet vërtet që secili rast i ri të referohet edhe përnjëmend pastaj për të pasur arsye për t’u shtuar numri i psikologëve klinikë edhe në Onkologji, por pse jo edhe në klinika të tjera, sepse vërtet sot po anashkalojmë problematikat e shëndetit mendor, por janë shumë të shfaqura”.

Një paciente që vite më parë mori trajtim në Onkologji, tregoi në kushte anonimiteti për gjendjen emocionale që kaloi në momentin kur kuptoi për sëmundjen. Foli edhe për ndihmën që mori.

“E mora si rast tragjik që edhe frymë nuk mujsha me marrë, edhe doktorit i kam kallxu që unë kam problem me gjumë, me stres, kisha problem edhe me fëmijë, kështu diqysh i urrejsha senet, jetën e përditshme e urrejsha, edhe ai më tha që duhet me shku te psikologja. Kam shku 12 seanca. Kur kam hy aty, kam hy vetë e 200-ta se aq keq kam qenë. Falë saj sot e gëzoj një jetë të plotë. Falë psikologes edhe falë mjekëve sot jam 100 për qind më mirë. Ndoshta mos me pas shku, nuk isha sot”, ka thënë ajo.

Pos Onkologjisë, sipas të dhënave të QKUK-së, nga një psikolog klinik e kanë të punësuar Klinika e Gjinekologjisë dhe ajo e Pediatrisë. Në Neurologji dhe në Institutin e Psikiatrisë Forenzike janë nga 2, kurse 6 janë në Klinikën e Psikiatrisë. 

Kërkesë për psikologë ka bërë edhe Klinika e Nefrologjisë, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nga QKUK-ja nuk ka marrë as KOHA, në pyetjet lidhur me planifikimin për ta rritur numrin e profesionistëve të shëndetit mendor. 

Sipas QKUK-së, specialistët e angazhuar në 6 klinika, u shërbejnë edhe pacientëve në klinika të tjera kur ftohen.