Arbëri

Vetëm 22 zyrtarë në gjithë Kosovën për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave të krimit

Zyra për Mbrojtje e Ndihmë të Viktimave të krimit, që funksionon në kuadër të kryeprokurorit të shtetit, ballafaqohet me numër të vogël zyrtarësh e me probleme të mëdha infrastrukturore. Në gjithë Kosovën janë 22 zyrtarë të tillë, të cilët marrin pjesë në rreth pesë mijë seanca në vit

Numri i mbrojtësve të viktimave po konsiderohet i vogël nga zyrtarë të Prokurorisë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Mbrojtësit e viktimave janë persona të autorizuar për t’u ofruar mbështetje dhe ndihmë viktimave të krimit për të pasur qasje në organet e drejtësisë dhe funksionojnë në kuadër të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Burhan Maxhuni, ushtrues detyre i menaxherit të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, tha se volumi i punës për këta zyrtarë është tejet i lartë.

“Me 22 mbrojtës dhe afro 3000 raste, i bie përafërsisht secilit mbrojtës të viktimave të merret me 150 raste dhe secili rast ka së paku një apo tre a katër seanca dhe në vit i kemi diku 5000 seanca”, ka thënë Maxhuni.

Mbrojtës viktimash ka në 7 prokuroritë themelore dhe, sipas Maxhunit, shumica e lëndëve që marrin përsipër kanë të bëjnë me dhunën në familje. Ndër të tjera, këta zyrtarë në emër të viktimave bëjnë kërkesë për dëmshpërblim e urdhër mbrojtës.

Përpos numrit të vogël të mbrojtësve, Maxhuni ngriti si problem edhe çështjet infrastrukturore, përfshirë mungesën e hapësirave punuese.

“Të gjitha veturat e tjera të cilat janë nëpër rajone pothuajse janë me skadim të afatit, minimumi ndoshta nga 3 herë, sepse të gjitha këto vetura janë donacion që i kemi marrë prej akterëve të ndryshëm”, ka thënë ai.

E Astrit Kolaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka shprehur nevojën për rritjen e numrit të mbrojtësve të viktimave. Rajoni me më së shumti zyrtarë të tillë është Prishtina me 7, e më së paku ka Gjakova - 1.

“Ne mendojmë që ky numër duhet të rritet dhe ky numër duhet të rritet në bazë të ndonjë planifikimi që duhet ta bëjnë vetë sistemi prokurorial dhe Zyra Qendrore e Mbrojtësve të Viktimave”, ka thënë Kolaj. 

Përpos shërbimeve profesionale, sipas tij, rritja e numrit të këtyre zyrtarëve do të kursente edhe buxhetin.

“Ka pasur kursim të buxhetit shtetëror nëse një pjesë e madhe e këtyre viktimave do t’u caktohej avokati sipas detyrës zyrtare. Kështu që në një formë puna që bëjnë mbrojtësit e viktimave, përpos punës profesionale dhe mbështetjes që e ofrojnë te viktimat, këta në një formë edhe e kursejnë buxhetin e vendit”, ka shtuar ai.

Zyrtarët për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave, pos në rastet e dhunës në familje, përfaqësojnë në polici, prokurori dhe gjykata, edhe ato të trafikimit me qenie njerëzore, të dhunimeve dhe të abuzimeve e keqtrajtimeve.