Arbëri

Veseli ngrihet në këmbë gjatë seancës, mbrojtja ankohet në pyetjet e gjyqtarit ndaj Selimit

Kadri Veseli

Kadri Veseli, një nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale, është ngritur në këmbë të enjten pasi mbrojtja e tij u ankua në pyetjet e gjyqtarit Guenaël Metrraux ndaj dëshmitarit Sylejman Selimi.

Avokati i Veselit, Rodney Dixon, shprehu vërejtje për pyetjet e Metrauxit ndaj Selimit, lidhur me përfshirjen e Ferat Shalës në Shtabin e Përgjithshëm, kur mungonte Veseli.

Dixoni i kërkoi kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, përgjigje edhe për mocionin e ngritur në nëntor të vitit të kaluar, kur po ashtu ishin shprehur shqetësime lidhur me pyetjet e gjyqtarëve, dhe u kërkua gjykim i drejtë e i paanshëm.

“Këto nuk janë pyetje sqaruese. Këto janë pyetje që po i përdorni si bazë ju, nga ana e trupit gjykues. Këtë e kemi trajtuar në mocionin tonë. Këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësues. Këto nuk janë pyetje që duhet t’i bëjë trupi gjykues, dhe unë desha të dija a keni marrë ju ndonjë vendim lidhur me mocionin tonë që është ende pezull?” ka thënë Dixoni.

Ndërsa Smith u përgjigj duke thënë se “vendimi është që të vazhdohet me pyetjen siç janë bërë”. “Pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje nga çdo temë e mundshme”, ka thënë Smith.

Dixon ndërkaq u përgjigj duke thënë se mbrojtja kërkon të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor.

“Ne duam që kjo të merret parasysh. Dua ta theksoj edhe një herë, që sot pyetjet nuk janë pyetje të paanshme, këto janë pyetje josqaruese nga ana e gjykatësit, por janë pyetje që po përdorën si bazë nga gjykatësit për të dalë në përfundimet e tyre”, ka thënë ai.

Pas kësaj u pa që Veseli ishte ngritur në këmbë dhe po diskutonte me ekipin e tij mbrojtës, por nuk e mori fjalën e as s’u sqarua se pse u ngrit.