Reshjet e fuqishme të shiut që të dielën goditën Prishtinën nxitën vërshime në pjesë të ndryshme të qytetit, duke u shkaktuar dëme materiale banorëve të shumtë.
Për pasojë, me ujëra u mbulua edhe vendpunishtja e “Rrugës A”, duke e vështirësuar qarkullimin për qytetarët e kësaj zone.
Banorët e Veterrikut ankohen se vonesat e Qeverisë në përfundimin e punimeve për rrethrrotullimin në këtë pjesë kanë ndikuar që dëmet të jenë më të mëdha.
Hasim Rushiti thotë se pas të reshurave të shiut, ujërat e zeza që buruan nga kolektori vërshuan podrumet dhe lokalet e zonës.
“Me vërshimet e fundit, kjo pjesë është bllokuar duke i përngjarë një liqeni dhe me ujërat fekale dhe ujëra të turbullta, iu ka bë mjaft shumë dëme banorëve dhe qytetarët nuk kanë mundësi t’i sanojnë këto dëme, sepse ekipet emergjente kanë qenë të ngarkuara por po e përjetojmë këtë dukuri shumë shpesh”, ka thënë ky banor i Veternikut.
Ai kërkon që për të shmangur dëmet planifikimet në vendpunishte të bëhen në mënyrë më të mirë.
“Në momentin kur kemi vërshime këtu është e pakalueshme edhe në këmbë le më me vetura. Spitali është shumë afër por nuk mund të shkojmë edhe për raste emergjente. I bëj apel që para fillimit të punimeve t’i planifikojnë mirë kanalizimet. Urgjenca tjetër është që projektuesit që këtë nyje ta rregulloj sa më shpejt, kjo është nyja kryesore që po i shkakton telashe më të mëdha banorëve”, ka deklaruar Rushiti.
E në pjesë të tjera të Prishtinës, arsye për vërshime u bënë pusetat e mbyllura.
Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike, pranon se gjatë shikimit të bërë, në shumë vende është hasur në puseta të bllokuara.
Ai thekson se në të ardhmen do të përpilohet kontratë që e përfshin mirëmbajtjen më të shpeshtë të pusetave.
Krahas me puseta, Prishtina ka probleme edhe me infrastrukturë të vjetërsuar të kanalizimeve.
E në këtë drejtim, qytetarët kërkojnë që të bëhen më shumë investime.
Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinë, thotë se për vitin e ardhshëm janë paraparë investime milionëshe për ndarjen e rrjetit të kanalizimit, atij fekal si dhe atij atmosferik.
Në kuadër të këtij projekti, ai thotë se pritet që të përfshihen zonat e vjetra të qytetit me rrjet të përzier të kanalizimit.
E në të gjitha rrugët e reja, ai thotë se po përfshihet rrjeti i ri i kanalizimit.
Krahas vërshimit nëpër shtëpi e lokale, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme edhe në bujqësi.