Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë duhet të kulmojë me njohje reciproke. Në intervistën ekskluzive për KOHËN, dhënë gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Verma ka ndarë perspektivën amerikane mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe rëndësinë e përmbushjes së zotimeve nga të dyja palët në dialog
Njohja reciproke duhet të jetë produkt i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ka thënë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Verma ka qëndruar të premten edhe në objektin e KOHËS, ku ka dhënë një intervistë ekskluzive, e cila do të transmetohet sonte në orën 19:25.
Zyrtari i lartë amerikan ka shpalosur hollësi për “Dialogun Strategjik”, të cilin e përmendi presidentja Vjosa Osmani, dhe ka folur edhe për obligimet që Kosovës dhe Serbisë u përshkruhen në Marrëveshjen e Ohrit.
“Ne besojmë se kushtet e Marrëveshjes janë ligjërisht të obligueshme dhe të dyja vendet janë zotuar për parimet e Marrëveshjes. Kështu që ajo që mendoj se është në interes jo vetëm të marrëdhënieve bilaterale mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe për sigurinë rajonale, si dhe për njerëzit, të cilët prosperojnë që të dyja vendet të jenë në gjendje të ulen dhe të punojnë për këtë”, tha ai.
Ai shtoi se normalizimi që çon drejt njohjes reciproke do të ishte epilogu i këtij procesi.
“Mendoj se ajo për të cilën shpresojmë të gjithë është niveli i normalizimit që do të çonte drejt njohjes reciproke. Ka hapa larg për të arritur deri atje. Prandaj besoj se procesi i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, nëse zbatohet siç duhet, do të shkojë në atë drejtim”, tha Verma.
Krahas Kosovës, Verma ka vizituar Shqipërinë dhe të premten ka udhëtuar për në Serbi.