Vdekja e një zyrtari policor të Policisë së Kosovës nga sulmi terrorist i një grupi serbësh në Banjskë të Zveçnit, shtimi i forcave të shtuara të NATO-s në veriun e Kosovës, kërcënimi i Serbisë duke afruar ushtrinë e saj përgjatë kufirit me Kosovë, e kanë përcjellë vitin 2023 me tensionet më të ngritura pas luftës në Kosovë. Kërcënimi nga Serbia për këtë pjesë të vendit, sipas zyrtarëve shtetërorë, mbetet i vazhdueshëm.
E diela e 24 shtatorit në fshatin Banjskë, fshat ky i cili shtrihet në mes të Komunës së Zvecanit dhe Leposaviqit, zgjoi banorët nën zhurmat e të shtënave nga armët e zjarrit midis një grupi serbësh dhe Policisë së Kosovës.
Për 3 orë nën krismat e armëve, afër Manastirit të Banjskës, grupi paraushtarak i serbëve i përbërë nga rreth 90 persona, i zunë pritën policisë, duke vendosur një barrikadë në urën e fshatit.
Grupi terrorist filloi të shtënat në drejtim të tyre, duke lënë të vdekur rreshterin tashmë heroin, Afrim Bunjaku, ku u plagosën edhe dy polic. Në këtë aksion u vranë tre pjesëtarë të këtij grupi.
Për këtë reagim të shpejtë nga Policia e Kosovës, u themelua një drejtori e veçantë brenda Policisë.
“ Drejtoria e Njësive të Ndërhyrjes së Shpejtë, me efikasitet ka numër të mjaftueshëm të operatorëve asiston departamentin e kufirit në mënyrë të parandalimit, futjes së grupeve qoftë për kontrabandë, apo grupe kriminale ose terroriste. Ne vetëm pas incidentit të Banjskës ka më shumë se tridhjetë rrugë që i kemi vlerësuar në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme, dhe i kemi mbyllur apo kemi vendosur pengesa, ose gropime”, tha Operatori 1.
Institucionet e vendit akuzuan presidentin serb Aleksander Vuçiq se qëndronte prapa këtij sulmi.
“Sulmet mbi Policinë tonë janë duke vazhduar janë sëpaku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë ushtarak a polic, të cilët ndodhën nën rrethimin rrethimin e focave tona policore të cilët i ftoi të dorëzohen te organet tona të sigurisë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sulmi u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, e u kërkua nga palët t’i kthehen dialogut.
Që nga rasti në Banjskë, numri i pjesëtarëve të KFOR-it në veriun e vendit është rritur. Nga ky mision i NATO-s në Kosovë kanë thënë për KOHËN se aktivitetet e përbashkëta me Policinë në veri po zhvillohen në koordinim të ngushtë.
“Tani kemi rritur praninë tonë me disa qindra trupa në Kosovë, me forca të reja nga Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka vendosur më shumë forca si pjesë e pranisë së NATO-s në Kosovë”, u tha nga KFOR-i.
Në nëntor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, alarmoi aleancën më të madhe ushtarake, NATO-në, se Rusia është duke përgatitur kriza të reja në vendet e rajonit të Ballkanit.
Deklaratat e tij u morën me seriozitet të shtuar, çka bëri që shefi i NATO-së, Jens Stoltenberg, të bënte një tour në vendet e rajonit, duke e nisur në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.
“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë të Kosovës në veri kërkon negocim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë të Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”, tha Stoltenberg.
Shqetësuese u pa prezenca e ushtrisë serbe, e vendosur përgjatë kufirit me Kosovën, në Rashkë, ku është edhe baza ushtarake në të cilën kryejnë stërvitje paramilitarët serbë.
Alarm për rrezikun nga sulme të tjera nga Serbia ka dhënë në fundvitin e kaluar kryeministri Albin Kurti.