Status i veçantë do t’u jepet punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, në rast se miratohet një ligji i ri i bazuar në draftin e koncept-dokumentit të hartuar nga ky institucion. Për zyrtarët e ministrisë parashihen benefite, siç janë gradat e reja, bartja e armëve, pensionimi i parakohshëm dhe pensioni familjar, e drejta në shujtë, e të tjera. Por, atyre do t’u ndalohet të udhëtojnë jashtë shteti për qëllime private, pa marrë leje paraprakisht, ndërkaq të rinjve që rekrutohen, do t’u bëhet verifikimi i së kaluarës, para nënshkrimit të kontratës. Në rast lufte, ata do të kenë detyrimet e njëjta si të ushtarakëve
Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë nismën që stafin e saj civil ta pajisë me “status të veçantë”, por edhe që në proces të rekrutimit të punonjësve të rinj, të vërë kritere shtesë nga ato që parashihen për shërbyesit publikë. Mes kushteve për rekrutim, do të jetë edhe kalimi i suksesshëm i verifikimit të së kaluarës.
Politikat e reja që synohen, janë listuar në draftin e një koncept-dokumenti që sugjeron hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Kalimi i suksesshëm i procesit të verifikimit do të jetë kusht për fillimin e marrëdhënies së punës për të gjitha kategoritë e personelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (akt emërimi/kontrata e punës do të nënshkruhen vetëm pas kalimit të suksesshëm të procesit të verifikimit)”, thuhet në dokumentin që ka dalë në konsultim publik.
Në draftin e koncept-dokumentit është theksuar se rreziqet dhe kërcënimet e reja të sigurisë kërkojnë aftësi të reja dhe trajnim modern.
“Burime njerëzore janë aseti kryesor për zhvillimin e sistemit të suksesshëm të mbrojtjes në Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, është e nevojshme të avancohet niveli i edukimit/trajnimit të burimeve njerëzore, duke përdorur edhe mekanizma të bashkëpunimit ndërkombëtar. Andaj, me qëllim të adaptimit të praktikave më të mira, do të zhvillohen politika më të avancuara për rekrutim të personelit ushtarak aktiv, rezervë dhe stafit civil, në mënyrë që të krijohen kushte për zhvillimin e një force profesionale modern”, thuhet në dokument.
Janë listuar edhe arsye të tjera, për “statusin e veçantë” të nëpunësve të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Integriteti i institucioneve të mbrojtjes dhe personelit të tyre janë me rëndësi të veçantë dhe do të adresohen përmes planeve të integritetit. Implementimi i këtyre planeve do të ndikojë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe luftimit të korrupsionit që nga planifikimi, prokurimi, buxhetimi dhe ekzekutimi. Aspektet e menaxhimit të resurseve njerëzore, tërheqja, seleksionimi, arsimimi, trajnimi, motivimi, shpërblimi, avancimi dhe ndërprerja e shërbimit kontribuojnë në zhvillimin e suksesshëm dhe në mirëmbajtjen e forcave dhe aftësive operacionale, si dhe në shërbimin civil”, theksohet në këtë draft.
Nëse dokumenti miratohet, zyrtarët e Ministrisë nuk do të mund të dalin për qëllime private jashtë shtetit, pa kaluar “procedurat e brendshme”.
Janë paraparë edhe të drejta e detyrime specifike të tjera nga ato të parashikuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Mes tjerash, zyrtarët e Ministrisë parashihet t’u nënshtrohen procedurave të njëjta të “thirrjes” për shërbim gjatë gjithë kohës dhe të obligohen që të angazhohen dhe të kontribuojë në të gjitha situatat që përballët Kosova, në kohë paqeje dhe në kohë të jashtëzakonshme. Ata parashihet të shërbejnë 24 orë në 7 ditë, varësisht nga niveli i situatës. Po kështu, parashihet t’u nënshtrohen të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të legjislacionit ushtarak në rastet e angazhimit gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme/luftës, apo në rastet e dërgimit në misione jashtë vendit, qoftë në kohë paqeje apo gjendje luftë.
Bazuar në dokument, punonjësit e Ministrisë do t’u nënshtrohen të gjitha procedurave të verifikimit të sigurisë, sipas kërkesave dhe legjislacionit në fuqi.
Personeli civil parashihet të trajnohet për familjarizim me rregullat ushtarake për gjendje lufte dhe misione jashtë vendit, e edhe të trajnohet për përdorimin e armës personale, e cila, sipas dokumentit, do të shërbejë për rast lufte dhe misione jashtë vendit.
Përveç të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara me Ligjin për zyrtarët publikë, me ligjin e ri që synohet të hartohet dhe miratohet, nëpunësit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të FSK-së do të kishin edhe të drejta të tjera specifike, përfshirë të drejtën e ekuivalencës në gradë dhe shërbim me personelin ushtarak. Veç kësaj, në dokument parashihet që në rast të humbjes së jetës si pasojë e sëmundjes profesionale, aksidentale, apo çfarëdo natyre tjetër, familja e tij (trashëgimtarët ligjorë) përfitojnë pensionin familjar dhe invalidor sipas parimit në ekuivalencë me gradat e personelit ushtarak. Po kështu, është paraparë edhe e drejta e pensionimit të parakohshëm vullnetar nga mosha 60-vjeçare, me një përqindje të përcaktuar (60% e pagës) me kusht që nëpunësi të ketë shërbyer jo më pak se 15 vjet pandërprerë në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK, përfshi institucionet paraardhëse.
Përjashtimisht pozitës së sekretarit të Përgjithshëm, aktemërimet e nëpunësve civilë parashihet të jenë me afat të pacaktuar.
E, në mesin e beneficioneve që janë listuar për ta, është edhe e drejta e shujtës, përkatësisht ushqimit në kuzhinat e FSK-së.
Drafti i koncept-dokumentit që përmban këto politika, sugjeron hartimin e ligjit të ri për Ministrinë e Mbrojtjes, si një ligj i veçantë, i cili do të përcaktojë funksionimin, fushëveprimin dhe organizimin e këtij institucioni. Bazuar në përmbajtjen e tij, “Ministria e Mbrojtjes do të jetë institucioni udhëheqës shtetëror në fushën e mbrojtjes së vendit, përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin civil demokratik mbi FSK-në, e përbërë nga personeli civil dhe personeli ushtarak i FSK-së”.
Grupi punues që ka hartuar dokumentin, ka shtruar nevojën e “ripërcaktimit të duhur të niveleve të organizimit strukturor të Ministrisë së Mbrojtjes në raport me fushëveprimin dhe rolin mbikëqyrës të FSK-së”. Po kështu, edhe të përcaktimit dhe rregullimit të statusit të veçantë të punonjësve përmes dispozitave të ligjit të veçantë, të cilat do të jenë mbizotëruese në raport me ato të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Grupi ka theksuar të jetë edhe nevoja e përcaktimit dhe definimit të përfaqësimit të pozitave ushtarake në kuadër të strukturës së personelit në Ministri dhe FSK, përfshirë përqindjen, nivelin e gradave, pozitat deficitare të tyre, si dhe ekuivalentimin në gradë dhe shërbim ndërmjet personelit civil dhe atij ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes është e përbërë nga personeli i integruar civil dhe ushtarak, dhe përbëhet nga 283 pozita punonjësish, nga të cilat 216 pozita të personelit civil dhe 67 pozita të personelit ushtarak. Krahas këtyre, janë 74 pozita udhëheqëse dhe 209 të tjera të stafit profesional dhe administrativ.