Venesa Sulimani ka thyer heshtjen duke u bërë fëmija i parë i një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës që flet hapur. Në fjalimin e saj prekës, ajo ka bërë thirrje që të gjithë ta thyejnë ciklin e traumave, derisa ka përçuar mesazhin se fëmijët e viktimave nuk janë vetëm
Venesa Sulimani ishte vetëm 4-vjeçare kur forcat serbe ushtruan dhunë seksuale ndaj nënës së saj, Shyhrete Tahiri-Sulimani.
Sulimani, e cila jeton në Kanada, ka vendosur ta thyejë heshtjen e saj duke iu drejtuar fëmijëve të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Në fjalimin e saj në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, e cila është organizuar në Prishtinë në 25-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Sulimani foli hapur për traumat që i janë përcjellë asaj.
Ajo bëri thirrje që të thyhet cikli i traumës, frikës dhe stigmës për dhunën seksuale gjatë luftës.
“Duke folur sot, dua ta thyej heshtjen për ata që kanë prindër të prekur prej dhunës seksuale gjatë luftës. Dua t’iu them të gjithë atyre që më dëgjojnë sot që edhe ju e keni një zë, ashtu si unë”, ka thënë ajo para shumë pjesëmarrësve në konferencën që nisi një ditë më parë. “Dua që ta dini se nuk jeni vetëm. Gjëja më e fuqishme që mund ta bëjmë është të flasim kundër stigmës, të flasim kundër traumës. Fëmijëve të prindërve që iu kanë mbijetuar krimeve të luftës dua t’iu them: jam me ju, në heshtjen tuaj, në mërzinë tuaj dhe në konfuzionin tuaj. Por jam me ju edhe në zgjedhjen tuaj... sikur nëna ime dhe unë. E keni fuqinë për t’u çliruar nga zinxhirët e stigmës”.
Sulimani tregoi se në momentin kur u diagnostikua me anoreksi, nëna e saj ia tregoi përjetimin e saj të rëndë gjatë luftës.
Ajo tha se në rastet kur viktimat dhe familjarët heshtin për dhimbjen e tyre pasojat kalohen.
“Sot nëse mbërrij te një fëmijë, do të jem e përmbushur plotësisht. Dua që fëmijët të më dëgjojnë kur t’iu them: mund të jeni të lirë, mund të jeni të fortë, mund ta luftoni heshtjen me zërin tuaj që ta ndryshoni narrativin e jetës suaj”, ka thënë Sulimani. “Si njeri që i ka vuajtur pasojat e heshtjes, mund t’iu them që trauma nuk ndalet duke e mbijetuar, kalon domino te familjet dhe komunitetet, duke i ndikuar të gjithë. Nëse nuk merremi me këtë tani, do të vazhdojë të jetë sikur dera cilindrike që veç sillet në vend, si rreth vicioz”.
Ajo dha edhe këshilla të tjera.
“Thyerja e ciklit të traumës nis kur i dëgjon të mbijetuarit, duke e njohur dhimbjen e tyre, duke ua dhënë mbështetjen që iu nevojitet mendore, edhe fizike për tu shëruar. Vetëm kështu mund ta krijojmë një të ardhme ku plagët e luftës nuk e përcaktojnë atë kush jemi ne”, ka thënë Sulimani.
E, drejtoresha e QKMRT-së, Feride Rushiti, tha se kjo është ngjarja më e rëndësishme e kësaj konference.
“Për ne dhe për të gjithë shoqërinë kosovare simbolizon forcën e mbijetesës dhe guximit për t’u përballur me plagët e padukshme të luftës”, ka thënë Rushiti.
Nëna e Venesës, Shyhrete Tahiri-Sulimani, është ndër gratë e rralla që ka folur publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës.
Ajo punon në QKMRT dhe iu ka ndihmuar të mbijetuarve të fuqizohen si në Kosovë ashtu edhe në vende të shumta të botës, përfshirë Irakun.
Në panele të organizuara në ditën e dytë të konferencës në Prishtinë, Esther Dingemans, drejtore ekzekutive e Global Survivors Fund, ka shtruar nevojën për dokumentim të krimeve.
“Dokumentimi është thelbësor për të dhënat kolektive dhe për arritjen e dëmshpërblimeve. Të mbijetuarit dhe OSHC-të në shumë vende të prekura nga konflikti janë gjithnjë e më të përkushtuar ndaj proceseve të dokumentimit”, ka thënë ajo. “Qeveritë dhe OSHC-të duhet të punojnë së bashku për t’i dokumentuar këto krime kolektivisht, duke iu dhënë të mbijetuarve hapësirën dhe kohën që të dalin përpara pa vonesë”.
E, gjatë punimeve të konferencës, faktori kyç për të arritur te drejtësia për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës është vlerësuar familja.
Këtë e ka thënë edhe drejtoresha e QKMRT-së, në panelin e organizuar lidhur me drejtësinë. Ajo ka theksuar se shpirti i viktimave të dhunës seksuale nuk gjen qetësi pa pasur përkrahje dhe drejtësi.
“Duke qenë organizatë që përveçse merremi me fuqizimin direkt të të mbijetuarve, dua ta them edhe një element: Nuk mund të punojmë me të mbijetuarën pa e pasur familjen në mbështetje. Familja është çelësi për të arritur te drejtësia. Pse e them këtë? Sepse e dimë që shumica nga gratë të cilat ende hezitojnë t’i qasen rrugës së drejtësisë, problemi numër një është familja”, ka thënë Rushiti. “Frika se mos po ekspozohen, frika se po dalin në sipërfaqe e pastaj pëson jo vetëm e mbijetuara, por pëson krejt familja”.
Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ishte pjesë e panelit, tha se punën që është dashur ta bënin institucionet në trajtimin e këtyre rasteve e kanë bërë organizatat joqeveritare.
“Kemi shtuar buxhet për gjashtë prokurorë shtesë, pesë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës. Për këtë mund të na tregojë edhe prokurori se tash së fundi janë shtuar edhe dy, por unë mendoj që me një numër kaq të vogël ende, me pesë, mendoj që është shumë e vështirë që të adresohen krimet e luftës”, ka thënë ministrja Haxhiu. “Së fundi kemi pasur përpjekje në këtë drejtim, e vlerësojmë përpjekjen për të pasur drejtësi, mirëpo natyrisht kapacitetet duhet të shtohen qoftë me bashkëpunëtorë profesionalë, qoftë me prokurorë shtesë”.
E prokurori special, Ilir Morina, tha se që nga përfundimi i luftës janë regjistruar 77 raste të krimeve të luftës që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, dhe se për to deri më tani janë ngritur aktakuza.
Ai theksoi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk u kanë dhënë zgjidhje disa problemeve praktike për Prokurorinë.
“Kodi ynë parasheh hetim dyvjeçar te një çështje penale. Me mundësi zgjatjeje që ka qenë gjashtë muaj, tash është bërë një vit, domethënë tre vjet. Mirëpo Kodi nuk jep përgjigje, pra ai i 2023-tës, nuk jep përgjigje për atë çka nëse ka filluar hetimi në UNMIK. Ne kemi trashëguar lëndë nga koha e UNMIK-ut, të cilat kemi aktvendimin për fillimin e hetimeve. Pas 20 vjetëve e kanë dorëzuar te ne dhe nuk kemi përgjigje nëse ka pushuar hetimi, nëse është pezulluar hetimi apo çfarë ka ndodhur me atë lëndë”, ka thënë prokurori Morina.
Ministrja Haxhiu, po ashtu, në këtë konferencë ka akuzuar UNMIK-u dhe EULEX-i që, sipas saj, me qëllim nuk i kanë hetuar këto raste.
Në bazë të statistikave të QKMRT-së, në 73 për qind të rasteve familjarët kanë qenë të pranishëm gjatë momentit të dhunimit. Sipas këtyre statistikave, 44 për qind e dhunimeve kanë ndodhur në shtëpi të viktimës dhe 34 për qind në vendin ku viktimat ishin të zhvendosura përkohësisht.