Arbëri

Vendimi për zbutjen e dënimit për vrasësin e Armenda Aliut shkon në Supreme

Rasti i vrasjes së Armenda Aliut në Prizren, epilog do të marrë në Gjykatën Supreme, e cila do të vendosë rreth dënimit të kryerësit të kësaj vrasjeje, bashkëshortit të saj. Bajram Veliajn që qëlloi bashkëshorten 15 herë, Gjykata Themelore në Prizren e dënoi me burgim të përjetshëm, por Apeli e uli në 25 vjet

Gati tre vjet pas vrasjes së Armenda Aliut nga bashkëshorti i saj, rasti nuk ka marrë epilog. Pasi Gjykata e Apelit uli dënimin ndaj Bajram Veliajt nga burgimi i përjetshëm në 25 vjet, pritet të vendosë edhe Gjykata Supreme. Kjo pasi që familja e viktimës, nuk u pajtua me konstatimet e Apelit dhe me arsyetimin që ishte përmendur në 10 faqe aktgjykim, të shpallur muaj më parë.

Në arsyetimin e Gjykatës së Shkallës së Dytë përmendet si masë lehtësuese që do të duhej të merrej parasysh nga Themelorja në Prizren, fakti që i akuzuari, trupin e viktimës mbi të cilën qëlloi 15 herë e ka mbuluar me fustanin e saj dhe se kishte lajmëruar anëtarët e familjes së saj e të tijën, për vrasjen që kishte kryer.

“Disa nga rrethanat e tjera rënduese të konstatuara nga Gjykata e Shkallës së Parë, në fakt, janë rrethana lehtësuese e jo rënduese dhe atë sidomos, sjellja e të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale, kur i njëjti e merr një shami nga viktima dhe e mbulon kufomën, rrethanë kjo e cila nuk mund të konsiderohet si rrethanë rënduese, pastaj, mënyra tinëzare-dinake e kryerjes së veprës penale, po ashtu, gabimisht është marrë si rrethanë rënduese”, thuhet në arsyetim të Apelit.

Në aktgjykimin e siguruar nga KOHA, Apeli kishte përmendur edhe se i ndjeri kishte pasur respekt për vajzat e tashmë së ndjerës, dhe se kishte kërkuar falje, e që do të duhej të konsideroheshin po ashtu rrethana lehtësuese. “Në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Bajram Velija, përkitazi me këtë bazë ankimore, konstatohet se dënimi është shumë i ashpër dhe atë si rezultat i mosvlerësimit të rrethanave lehtësuese që kanë ekzistuar në rastin konkret, e sidomos kur nuk është marrë parasysh respekti i madh që është treguar ndaj vajzave të tani së ndjerës, pra, Bardhës dhe Diellzës, e duke dëshmuar kështu se dashja e tij nuk ka ekzistuar në privimin nga jeta të tani së ndjerës, pastaj kërkimfalja nga vajzat dhe familjarët e Armendës dhe duke pranuar se ka gabuar, për çka edhe është penduar, pastaj, se i njëjti nuk ka qenë i dënuar më parë, se ndaj vajzave të së dëmtuarës ka pasur sjellje të mira edhe para kryerjes së veprës penale”, shkruhet tutje në aktgjykim.

Në njërën nga seancat gjyqësore, Bajram Veliaj kishte thënë se nuk e kishte kryer veprën penale me dashje dhe se trupi gjykues do të duhej të kishte parasysh moshën e tij dhe sëmundjet që kishte, për t’i shqiptuar dënim më të lehtë.

“Të gjithë ju që jeni këtu dhe gjithë opinioni le ta dijë, nuk ka vrasje me dashje, sikur të kishte qenë një vrasje me dashje apo me paramendim, sot nuk do të isha këtu. Për hir të moshës që kam dhe disa sëmundje kronike, që nuk janë të pakta, dua një dënim sa më të lehtë që është e mundshme, ngase edhe mua më presin nipa e mbesa”, kishte deklaruar Velija, në shtator të vitit të kaluar.

Megjithatë, këto nuk u morën parasysh nga trupi gjykues në Prizren, sepse ata vendosën që atij t’i shqiptohet dënimi më i rëndë i paraparë për veprën penale, “vrasje e rëndë”.

Veliaj, në tetor të 2021-tës u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, por që më pas Apeli ia uli në 25 vjet.

Megjithatë, nëse konstatimet e Apelit qëndrojnë ose jo, Gjykata Supreme pritet të vendosë brenda rreth 3 muajsh.

Avokatët mbrojtës të viktimës kanë kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të ushtrohet kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë së aktgjykimit. Në propozimin e tyre ata i kanë konsideruar të palogjikshme e absurde arsyetimet që ka listuar Apeli, për t’ia zbutur dënimin.

“Është krejtësisht e palogjikshme, absurde dhe jashtë çdo kufiri human, që vendosja e një shamie mbi trupin e viktimës, pasi që i shkakton vdekjen në mënyrë barbare, duke e ndjekur nga prapa dhe duke i shtënë pesëmbëdhjetë plumba në trup – si rrethanë lehtësuese?!”, thuhet në propozimin e tyre, drejtuar Prokurorisë.

Tutje, aty shkruhet se “është po ashtu e palogjikshme, absurde dhe shfaq mungesë empatie, vlerësimi se thirrja e familjarëve nga ana e vetë dorasit dhe lajmërimi se ua ka vrarë nënën, motrën – përbën rrethanë lehtësuese! Njoftimi nga vetë i akuzuari se ‘motrën ta vrava, ajo vdiq’ vetëm rrethanë lehtësuese nuk përbën”.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në një përgjigje për KOHËN, ka konfirmuar që tashmë është dërguar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në gjykatën e shkallës së tretë.

“Lidhur me pyetjen tuaj për rastin e të gjykuarit, Bajram Veliaj, ju njoftojmë se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka aprovuar iniciativën dhe përmes Gjykatës Themelore në Prizren ka dërguar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Bajram Velija u shpall fajtor pas akuzave të ngritura nga Prokuroria në Prizren, për veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, Velija pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshorten e tij, Armenda Aliu, e cila kishte tentuar të largohej nga shtëpia, kishte shtënë mbi të pesëmbëdhjetë herë, me ç’rast atë e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e plagëve, 42-vjeçarja vdiq në vendin e ngjarjes.