Arbëri

Vendimi i Trumpit për pezullim të ndihmës, pa efekt madhor te Specialja

Administrata e presidentit Donald Trump ka shkurtuar financimin e shumë projekteve ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të drejtësisë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë financues i rregullt i Gjykatës Speciale. Megjithatë, sipas gjykatës, BE-ja është shtylla kryesore financiare e saj.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka pezulluar 25 milionë euro projekte të agjencisë USAID që u dedikoheshin institucioneve të drejtësisë brenda Kosovës, në kuadër të vendimit të 24 janarit për ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane.
Teksa vendimi pritet që t’i prishë planifikimet e gjyqësorit në Kosovë, ai nuk do të vlejë edhe për Gjykatën Speciale në Hagë. 

Në Dhomat e Specializuara kanë thënë se edhe në rast se SHBA-ja ndal krejt financimin për Gjykatën Speciale dhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, efekti nuk pritet të jetë madhor pasi me financim amerikan mbulohet kryesisht pozita e kryeprokurores, Kimberly West. 

Në këtë gjykatë nuk kanë treguar se, krahas pozitës së kryeprokurores, çfarë tjetër mbulohet financiarisht nga SHBA-ja. Në një përgjigje për KOHËN, në Gjykatën Speciale kanë theksuar se pjesa më e madhe e financimit për të buron nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga vendet anëtare.

“Buxheti aktual i grantit të BE-së është mbi 97.100.000 për periudhën 15 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025. Zvicra ka kontribuuar në Programin e Dhomave të Specializuara për Marrëdhënie me Publikun që nga 2018-a, tash me një grant prej 137.000 eurosh. Norvegjia e ka financuar renovimin e ndërtesës së gjykatës me 80 milionë korona norvegjeze (v.j mbi 6.8 milionë euro). Kontributi i shteteve të tjera, përfshirë SHBA-në, është kryesisht për punonjësit e emëruar përmes autoriteteve shtetërore”, ka thënë Angela Griep, shefe e njësisë për informim në Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

Punonjës të emëruar nëpërmjet autoriteteve shtetërore janë ata që nuk kanë kontratë të lidhur me gjykatën, porse me shtetin dërgues.

Sipas Griep, SHBA-ja nuk prin për nga stafi i emëruar nga shtetet në sistemin e Gjykatës Speciale. 
“Deri në fund të 2024-tës, DHSK-ja dhe ZPS-ja i patën 10 punonjës të emëruar përmes autoriteteve shtetërore. Nga ta, tetë ishin nga shtetet anëtare të BE-së: Bullgaria, Gjermania, Hungaria dhe Irlanda, dhe dy ishin (një) nga Zvicra dhe (një) SHBA-ja, duke e llogaritur edhe kryeprokuroren speciale”, ka bërë të ditur ajo. 

Sikurse kryeprokurori i parë i Speciales, Clint Williamson dhe kryeprokurorja aktuale, Kimberly West, edhe ish-kryeprokurorët David Schwendiman, Alex Whiting, Jack Smith kanë qenë amerikanë. Vetëm një kryeprokuror ka qenë britanik, Kwai Hong Ip, e i cili ka qenë ushtrues detyre. 

Punonjësit e emëruar nëpërmjet autoriteteve shtetërore, ku bën pjesë kryeprokurorja West, lidhin kontrata të paktën 12-mujore me mundësi të zgjatjes, porse kjo mund të varet edhe nga procedurat e shtetit dërgues.

E pyetur lidhur me atë se a ka të bëjë me financimin e kësaj pozite nga SHBA-ja fakti që kryeprokurorët kanë qenë vazhdimisht amerikanë, në Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë përgjigjur se kryeprokurori jo domosdoshmërisht duhet të jetë amerikan.