Arbëri

Vëllezërit Sallahu mohojnë akuzat për falsifikim në dosjen e tenderit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj vëllezërve Lulëzim e Naim Sallahu, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve, me të cilat është aplikuar në tenderin për rrugën Prizren-Prevallë. Para trupit gjykues i akuzuari Lulëzim Sallahu i mohoi akuzat me të cilat ngarkohet. Ndërsa i akuzuari tjetër Naim Sallahu tha se, ndryshe nga dëshmitë e tyre, inxhinierët dëshmitarë të kësaj çështjeje kanë qenë të punësuar me kontratë

Vëllezërit Lulëzim e Naim Sallahu, që akuzohen për mashtrim me kompaninë “SA Sallahu”, gjatë aplikimit në tenderin për rrugën Prizren–Prevallë kanë mohuar të mërkurën akuzat.

Lulzim Sallahu akuzohet se në shtator të 2019-s, në cilësinë e pronarit të kompanisë, gjatë aplikimit në tenderin për rrugën Prizren-Prevallë, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të katër personave, të cilët kanë qenë edhe dëshmitarë në proces. 
Ai i mohoi akuzat.

“Ata na kanë dhënë vetë CV-të, diplomat me nënshkrime të tyre që të aplikojmë për tenderë”, ka thënë Sallahu.
Ai akuzoi Prokurorinë për presion ndaj dëshmitarëve dhe tha se inxhinierët që dëshmuan kanë qenë vazhdimisht në terren gjatë zbatimit të kontratës.

“Kjo është një pyetje pa lidhje nga ana juaj. Edhe pse nuk jam jurist, kjo pyetje nuk bëhet. Të gjithë inxhinierët i kam parë në terren kur kanë dalë, pra kemi dalë me të gjithë në punishte”, ka thënë Sallahu.

Vëllai i tij, Naim Sallahu, akuzohet se ka përpiluar dhe nënshkruar referencat me përmbajtje të rreme.
Ai tha se inxhinierët dëshmitarë të kësaj çështjeje kanë qenë të punësuar në kompani.

“Të gjithë inxhinierët kanë qenë me dokumentacion, duke përfshirë kontratat, CV-të, referencat po ashtu, edhe kanë qenë të angazhuar në të gjitha projektet ku ka qenë e nevojshme, pasi që në këto projekte, këto kontrata që janë kanë përfunduar. Nëse nuk ishin inxhinierët pjesë e kontratave, kush ka qenë tjetërkush që i ka zëvendësuar”, ka thënë Naim Sallahu.

Para deklarimit të tyre mbrojtësit e të akuzuarve patën disa kërkesa për trupin gjykues.

“Të mundësohet nga trupi gjykues të aprovojë e të caktojë dy ekspertë financiarë që të bëjnë identifikimin e kostove financiare, përfitimeve të mundshme të çfarëdo pale të përfshirë në këtë rast penal, dëmet apo përfitimet e mundshme nga cilado palë dhe atë konsideroj se për zbardhjen e kësaj çështjeje penale duhet të vërtetohet nga ana e një eksperti”, ka thënë Bahrije Besimi, avokate e të akuzuarit Lulëzim Sallahu.

Të njëjtën e kërkoi edhe Blerim Qela, avokat i të akuzuarit Naim Sallahu.

“Kërkoj që të dëgjohet edhe një dëshmitar lidhur me këtë çështje, pasi me ato prova mund të vërtetohet e vërteta”, ka thënë Qela.

Kërkesat u kundërshtuan nga prokurori dhe u refuzuan nga trupi gjykues.

Në nëntor të 2023-tës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj kompanisë “SA Sallahu” si person juridik, si dhe ndaj dy vëllezërve Sallahu.