Arbëri

Vëllai i kryeprokurorit Isufaj mori pozitë pa konkurs dhe pa nivelin e kërkuar të shkollimit

Burimet e KOHËS kanë thënë se vëllai i Blerim Isufajt, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Afrim Isufaj, ka marrë pozitë drejtuese në administratën e Deçanit pa konkurs e pa shkollim që i përgjigjet pozitës që mban. Policia e ka arsyetuar vendimin me nevojën e plotësimit të pozitës që mbeti e zbrazët pas pensionimit të kolegut të tij të zyrës

Para rreth një viti, pozitën më të lartë të stafit administrativ policor në Deçan e ka marrë vëllai i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. 

Afrim Isufaj është bërë drejtues, duke marrë pozitën e shefit të resurseve në Stacionin Policor të Deçanit pa u hapur konkurs - as i brendshëm e as i jashtëm, dhe pa e plotësuar kriterin e të qenit me fakultet, pra me nivelin bachelor të përfunduar. 

Këtë nuk e kanë mohuar as në Polici, as dy vëllezërit Isufaj e as Inspektorati Policor i Kosovës.
Policia e Kosovës që ka marrë vendimin për ta ngritur në pozitë ka treguar se kolegu që ka punuar me të në zyrë është pensionuar.  

“Meqenëse zyrtari, i cili e ka mbajtur këtë pozitë, është pensionuar, atëherë konform Strukturës Organizative, Listës së Personelit të Autorizuar - LPA-së, e cila përcakton numrin e personelit, pozitave dhe emërtimit të pozitave përkatëse, si dhe ekuivalentimit të koeficientit të pagës nga DMZP-ja, nga Policia është bërë caktimi i zyrtarit në fjalë në pozitën shef i sektorit të resurseve pranë Stacionit Policor Deçan. Pra, pas pensionimit të personit/zyrtarit paraprak është caktuar personi/zyrtari tjetër”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ky institucion e ka arsyetuar këtë vendim me caktimin në bazë të mbushjes së zbrazëtirave që krijohen vazhdimisht në Polici.

“Sa i përket shpërndarjes/caktimit të personelit/zyrtarëve policorë, përfshirë gjeneratën e 60-të të PK-së, Policia e Kosovës që nga themelimi i saj personelin e cakton bazuar në nevojat e plotësimit të Strukturës Organizative dhe Listës së Personelit të Autorizuar”, ka arsyetuar Policia.
Policia nuk i është përgjigjur pyetjes se a shkojnë emërimet nëpër pozita në bazë të konkurseve apo në bazë të trashëgimit të pozitës prej kolegut të vjetër te i riu brenda të së njëjtës zyrë. 

Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, e cila e ka nën kompetencë ndjekjen e krimit të organizuar, krimeve të luftës dhe korrupsionit, ka thënë se nuk është në dijeni që vëllai i tij ka marrë pozitë pa konkurs.

“Për të gjitha pyeteni Policinë, s'kam asnjë informatë”, ka thënë kryeprokurori Isufaj.
E shefi i sektorit të resurseve, njëherësh i vëllai i kryeprokurorit Isufaj, Afrim Isufaj, nuk ka qenë i gatshëm për deklaratë e as të japë sqarime të tjera. 

IPK-ja në pyetjet e KOHËS nëse ka pasur ndonjë hetim lidhur me mënyrën e emërimit të vëllait të Blerim Isufajt në krye të shërbyesve civilë të Policisë në Deçan, ka thënë se po mbledh informacione për këtë çështje.

Sipas legjislacioni që mbulon fushën e personelit civil, për këto pozita fillimisht duhet të shpallet konkursi i brendshëm e pastaj nëse ai është i pasuksesshëm duhet të shpallet konkursi i jashtëm.

Si në konkurset e Policisë që publikohen online, ashtu edhe legjislacioni tjetër siç është Rregullorja e Qeverisë e vitit 2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil, kriter për pozitën drejtues i ulët është 4 vjet shkollim i lartë ose diplomimi në nivelin bachelor.

LEXO EDHE: