Lulzim Veliu, analist për çështje rajonale, ka deklaruar se mërgata shqiptare shfrytëzohet nga subjektet politike në Kosovë vetëm në kohë zgjedhjeve, duke u shprehur se nuk beson që ajo është e përçarë në aspektin politik.
Veliu ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, se mërgata nuk është përfshira në projektet e qeverive për zhvillim të vendit. Sipas tij, ekzistojnë përafrime mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) “për mundësinë një bashkëpunimi politik”.
“Lëvizja Vetëvendosje është forca e parë edhe në këto zgjedhje, por s’do ta ketë mundësinë e krijimit të qeverisë pa ndonjë subjekt tjetër. Nëse flasim për spekulime, nga ajo që është shohim është një përafrim mes PDK-së dhe VV-ja. Dy subjekte që kanë pasur vija të kuqe, por tani shihet se vijat e kuqe janë tërhequr për të gjitha subjektet. Shihet një përafrim mes këtyre. Sipas informacioneve, brenda PDK-së janë të ndarë në dy grupe, ka një pjesë që nuk e duan një koalicion të tillë”, ka thënë analisti politik.
Veliu tutje është shprehur se nëse Albin Kurti do të rizgjidhet kryeministër, ai do t’i pranojë “të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.