Lulzim Veliu, analist për çështje rajonale, ka deklaruar se është pozitive që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pasi sipas tij, nëpërmjet kësaj mënyre mund të arrihet njohja për Kosovën.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara, në mënyrë që sipas tij, të shihet si shtet serioz në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
“Kushti kryesor ka qenë që anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian të mos bëhet pa e njohur Kosovën dhe ne e dëgjuam ambasadorin Hill që tha se Serbia mund të bëhet anëtare edhe pa e njohur Kosovën. Mendoj se nëse Serbia do të bëhet anëtare e BE-së, duhet ta shohim edhe anën pozitive. Me ata që do të kemi kontakt në çdo veprim, marrëdhënie e punë është më mirë të jetë anetare e BE-së. Duke qenë Serbia anëtare e BE-së, do të vjen momenti kur Serbia do të sillet si çdo anëtar i BE-së dhe do të vjen deri te njohja e Kosovës”, ka thënë Veliu.
Sipas analistit politik, Kosova duhet t’i zbatojë zotimet, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi “çdo shtyrje e këtij vendimi është humbje për vendin tonë”.
Veliu tha se Asociacionit i është shtuar edhe pika e arbitrazhit, që shtoi se është humbje e madhe dhe mund të rrezikojë “ndarjen e komunave”.
Ai ka kritikuar qeverisjen lokale për izolim të vendit dhe përkeqësim të raporteve me vendet e rajonit.
“Kemi përkeqësim të raporteve të Kosovës me vendet e tjera si me Maqedoninë, e s’kemi as raporte të duhura me Shqipërinë. Këto janë pasojë e politikave jo mirë të orientuara ose të drejtuara nga qeveria aktuale. Këtu duhet të vihet gishti dhe të punohet sa më shumë pasi kemi në tavolinë marrëveshje të dakorduara e që janë bërë tash e sa vjet ndërkombëtare, të ratifikuara e hezitojmë t’i bëjmë”, theksoi ai.
Veliu ka thënë se Kosova s’duhet të merret me Serbinë, por t’i kryejë obligimet ndërkombëtare “dhe të ecet përpara në mënyrë që të hapen perspektivat për vendin”.