Arbëri

Veliaj paraqitet në Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë

Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e të martës në Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë – Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Vetë kryebashkiaku Veliaj deklaroi pak ditë më parë se do të paraqitej vullnetarisht në prokurorinë e posaçme për të dorëzuar disa dosje dhe informacione, raporton “Euronews”.

Jashtë ambienteve të Prokurorisë, ardhjen e Veliajt e kanë pritur disa ish-deputetë e simpatizantë të Partisë Demokratike, me të cilët Veliaj raportohet se ka shkëmbyer fjalë.

Ka disa javë që zyrtarë e ish-zyrtarë të Tiranës janë arrestuar si të dyshuar për korrupsion. Ditët e fundit janë përcjellë me protesta që kërkonin dorëheqjen e Veliajt. 

Këta drejtorë e ish-drejtorë të rëndësishëm të Tiranës, janë të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive, me fondet publike, përmes kompanisë 5D, të zotëruar prej tyre, nën emrat e personave të tjerë. Veliaj është distancuar prej tyre duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.