Ka vdekur në moshën 73-vjeçare, mjeku, epidemiologu dhe profesori universitar, Isuf Dedushaj. Lajmi për vdekjen e tij u dha nga familjarët, që kanë thënë se për ceremoninë dhe ditën e varrimit do të njoftojnë me kohë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në të cilin Dedushaj një kohë ishte edhe drejtor ekzekutiv, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të tij.
Kush ishte Isuf Dedushaj?
Isuf Dedushaj u lind më 1951 në Vuthaj të Malit të Zi.
Shkollimin fillor e kreu në Vuthaj dhe Guci, ndërsa gjimnazin në Pejë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1976. Ishte punësuar në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore dhe punoi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë deri në vitin 1985.
Në vitin 1980 specializoi për epidemiologji, duke u bërë epidemiologu i parë shqiptar në Kosovë, sipas biografisë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.
Studimet pasuniversitare i kreu në Sarajevë, ndërsa tezën e disertacionit e mbrojti në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë (1986). Më pas u avancoi titujt dhe më 1998 u zgjodh profesor ordinar i epidemiologjisë, i shëndetit publik dhe i etikës.
Ishte përgjegjës i sektorit për imunizim për Kosovë, pjesëmarrës në shumë forume dhe organizata të kësaj fushe në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi.
Në periudhën 1986-1990 ishte kryeshef i Institutit të Epidemiologjisë, kryeredaktor përgjegjës i revistës “Shëndeti 1981-1990, dhe redaktor për librin universitar nga fusha e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës (1992-1997), e kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës (1992-2001).
Pas luftës, ushtroi detyrën e drejtorit të departamentit të epidemiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, pastaj të drejtorit të këtij instituti (2001-2006) si dhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë në vitet 2006-2007.
Ishte autor i disa monografive shkencore dhe teksteve universitare: “Vaksinimet kundër sëmundjeve ngjitëse” (1994), “Epidemiologjia, parimet dhe praktika” (1997), “AIDS-SIDA, sëmundja që vret” (1998), “Imunoprofilaksia” (2002), “Epidemiologjia speciale e sëmundjeve ngjitëse” (2005), “Figura të ndritura të mjekësisë shqiptare” (2015), etj. Botoi shumë punime shkencore dhe profesionale si autor dhe bashkëautor, në revista dhe publikime brenda dhe jashtë shtetit. Ishte bashkautor i zbulimit të genomit të virusit të EHHK-së, i emëruar “Kosova Hoti”.