Komuna e Ferizajt ka njoftuar për ndarjen nga jeta të inxhinierit “nga plejada e parë”, Jahja Idrizi.
Në njoftimin e komunës thuhet se kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e Idrizit.
Idrizi ka qenë ish-drejtor i Fabrikës së Tubave, profesor në Fakultetin Teknik në Prishtinë, si dhe një nga themeluesit e shkollës së lartë teknike në Ferizaj, ka bërë të ditur komuna.
"Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të respektuar të Fakultetit Teknik, ish drejtorit të Fabrikës së Tubave, një nga themeluesit e Shkollës së Lartë Teknike në Ferizaj, inxhinierit nga plejada e parë, ferizajasit të shquar, Jahja Idrizi. Vepra e kontributi i tij për arsimin, e gjithë shoqërinë do të mbeten të skalitura në mbamendjen e gjithë shoqërisë. Ngushëllime të sinqerta familjes Idrizi, miqve, kolegëve e të njohurve të të ndjerit", thuhet në telegram ngushëllimin.