Arbëri

Vdiq Faik Rexhepi, simboli i rezistencës kundër regjimit serb

Skulptura e Faik Rexhepit

Ka vdekur Faik Rexhepi, burri nga Presheva që u shndërrua në simbol të rezistencë kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Lajmin e bënë të ditur familjarët.

“Të dashur familjarë, miq e shoqëri. Mbrëmë na la lamtumirën e fundit baba jonë, Faik Rexhepi. Varrimi i tij është sot me 24.02.2025 në ora 15:00 te Varrezat e lagjes së Arbërisë”, thuhet në njoftimin e familjes.

Pas vdekjes ka reaguar edhe deputeti, Shaip Kamberi, i cili ka shkruar në Facebook se Faik Rexhepi u bë simbol i rezistencës kundër aparteidit serb në Kosovë, duke lënë pas një trashëgimi të guximit dhe qëndresës.

“Sot, në Prishtinë, do t’i jepet lamtumira e fundit, por heroizmi dhe fryma e tij do të jetojnë përgjithmonë”, ka shkruar ai.

Në gusht të vitit 1990, preshevari Faik Rexhepi, cili punonte në “Ferronikel” të Drenasit, bashkë me kolegë kishin ardhur në kryeqytet që ta presin delegacionin e kongresit amerikan.

Para hotelit “Grand” policia serbe kishte ndërhyrë brutalisht, duke shpërndarë turmën, por Faik Rexhepi nuk kishte luajtur vendi.

Para disa vitesh pikërisht në vendin ku ai protestoi u vendos një skulpturë që u quajt “Burri që s’luajti vendit!”, në shenjë nderimi për veprën e tij. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur Rexhepin simbol të pathyeshëm të rezistencës paqësore kundër regjimit serb. 

“Faik Rexhepi mbetet një emër i skalitur në historinë tonë, një burrë që përballë dhunës dhe padrejtësisë zgjodhi të qëndrojë i palëkundur, këmbëkryq në mes të rrugës, si një akt i fuqishëm i mosdorëzimit. Skulptura e tij në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ është një dëshmi e përjetshme e guximit të tij dhe e idealit për liri. Kujtimi për të dhe mesazhi nga skulptura do të jetojnë përgjithmonë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Faik Rexhepin!” – ka shkruar Osmani.