Arbëri

Vdiq babai i ish-presidentit Thaçi, Haxhi Thaçi

Haxhi dhe Hashim Thaçi

(E përditësuar në 08:27) - Të dielën ka vdekur Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, që njoftoi nëpërmjet rrjetit social Facebook.

Krasniqi ka thënë se me dhembje të thellë e mori lajmin për vdekjen e Thaçit, duke shkruar se nuk është shuar vetëm një njeri, “por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë”.

Krasniqi e cilësoi babanë e ish-presidentit si shtyllë e fortë e vlerave atdhetare.

“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Javën e kaluar, Thaçi u lejua nga Dhomat e Specializuara në Hagë ta vizitonte babanë e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku po trajtohej tash e sa kohë.


Liderët shtetëror shprehin ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit

Për vdekjen e babait të Thaçit ngushëllime ka shprehur presidentja Vjosa Osmani.

“Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit. Kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën”, ka shkruar Osmani.

Ngushëllime familjes Thaçi i ka shprehur edhe kryeministri, Albin Kurti. 

Përmes një letre në emër të Qeverisë dhe të tij, ai ka ngushëlluar familjen Thaçi për vdekjen e Haxhi Thaçit.

Për të ndjerin Kurti thënë se do të kujtohet gjithmonë për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin. 

"Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi", thuhet në letër ngushëllim.

Letra e kryeministrit, Albin Kurti

Ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. 

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të cilët humbën të dashurin e tyre! Qëndrojmë pranë tyre në këto momente dhimbjeje! Edhe pse Haxhi Thaçi nuk është më në këtë jetë, ai do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të”, ka shkruar Konjufca.