Arbëri

Vdiq akademiku Minir Dushi

Akademiku Minir Dushi

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar për vdekjen e akademikut Minir Dushit, duke thënë se ishte inxhinieri i parë shqiptar dhe një figurë e shquar në fushën e mineraleve.

Komuna ka shkruar të hënën të Facebook se Dushi ishte themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicës dhe drejtor në Trepçë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, thuhet në njoftim.

Komuna do të mbajë homazhe të martën në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

“Në këto momente të dhimbshme, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Komuna e Mitrovicës, nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 12:00 deri 14:00, për nder të jetës dhe veprës së tij. Pusho në paqe, akademik Minir Dushi”, ka shkruar Komuna e Mitrovicës.

Dushi ka lindur në Gjakovë në vitin 1929. Ai qenë anëtar i ASHAK-ut që nga themelimi i këtij institucioni në 1975-n.

Dushi ishte zgjedhur profesor i rregullt në Fakultetin Teknik në vitin 1969, ndërsa në 1975-n si profesor në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku kishte ushtruar detyrën e dekanit për dy mandate.

“Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970) u zgjodh zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 u bë rektor i këtij universiteti (1981-1983). Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i Akademisë në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 1986 u bë anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës. Opusi shkencor i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike. Nga fusha e xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, nga të cilët 4 tekste universitare, si dhe 14 vepra të tjera të veçanta të botuara nga ASHAK-u dhe Universiteti i Prishtinës. Akademik Minir Dushi është nderuar me një sërë çmimesh, dekoratash dhe mirënjohjesh. Ishte veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte shpallur edhe veteran i arsimit të Kosovës”, ka njoftuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Akademia njoftoi se në orën 10:00 do të mbajë mbledhje komemorative, e më pas do të ketë homazhe.

“Të nesërmen, më datë 29 janar (e mërkurë) në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative dhe më pas, po në mjediset e Akademisë, do të mbahen homazhe, deri në orën 11:30. Në orën 11:30 kortezhi niset për në Gjakovë. Në Gjakovë, në Shtëpinë e Kulturës ‘Asim Vokshi’, nga ora 14:00-15:00 do të mbahet mbledhje komemorative. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në Varrezat e Qytetit të Gjakovës në orën 16:00, ndërsa para varrimit, po në Varrezat e Qytetit, nga ora 15:00-16:00 do të bëhen homazhe”, thuhet në komunikatë.