Arbëri

Vdekja e zyrtarit të MAPL-së, ngrihen dyshime për mosfunksionim të pajisjes së autoambulancës

Një ditë pas vdekjes së një zyrtari të MAPL-së si pasojë e atakut në zemër, nga kolegët e tij janë ngritur dyshime për vonesë në ofrimin e ndihmës së parë mjekësore. Ata thonë se, kur ambulanca arriti në vendin e ngjarjes nuk punoi elektroshoku, për çka, sipas tyre, u ftua autoambulanca e dytë e Urgjencës. E në këtë institucion i kanë mohuar këto pretendime

Mesditën e së martës, një zyrtari të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal iu përkeqësua gjendja shëndetësore në vendin e punës, si pasojë e atakut në zemër. Ai vdiq pak kohë pas intervenimit të ekipeve mjekësore.

Kolegët e tij teksa shprehën ngushëllime në rrjete sociale, të mërkurën, kanë ngritur shqetësime për vonesë në dhënien e ndihmës së parë.

Ata po ashtu kanë ngritur dyshime për mosfunksionim të pajisjes së elektroshokut në autoambulancën e parë, për çka sipas tyre, u thirr edhe e dyta.

“Dje fatkeqësisht është vonuar ambulanta dhe kur ka ardh ambulanata e parë nuk i kanë funksionuar bateritë elektroshokut dhe është dashur ta pres autoambulantën e dytë. Njeriu jeton sa i ka dhënë zoti jetë, por ne nuk duhet të jemi neglizhentë apo duhet të marrim masa dhe të mësojmë nga pësimi i djeshëm që dikush tjetër të mos na ikë dhe të ngelet brenda nesh barra se si nuk mund t’i dham ndihmën e parë mjaftueshme”, ka thënë Ali Sefaj, sindikalist i Shërbyesve Civilë në Administratën Publike.

Ekipet e gazetarëve, që në ato momente ishin duke raportuar për bastisjet në Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës, evidentuan tek u bart prej njërës autoambulancë në tjetrën, një çantë.

Këto dy ministri ndajnë të njëjtin objekt.

Por drejtori i Urgjencës në Prishtinë, Avdyl Pacolli, ka mohuar të ketë pasur defekte në pajisje dhe sipas tij, në raste të tilla të reanimimit dërgohen dy ekipe.

“Nuk ka të bëjë asnjë send me punën apo mos punën e shokut elektrik, sepse këta shokë elektrikë kolegët janë të obliguar çdo ditë për me u bë një test me një kontroll që e kanë ata, me një pullë iu tregon që gjithçka është në rregull. Asnjë send nuk u ka munguar asnjërës prej këtyre dy autoambulancave, absolut jemi gjithçka në rregull. Meqenëse reanimimet ndodhin shumë më rrallë, kur ka presion në gjoks zakonisht shkojmë me nga dy ekipe, edhe në shtëpi me na thirr. Pacienti u shku në Emergjencë dhe po me këtë pajisje tonën e kanë mbajt edhe 10-15 minuta atje dhe pacienti ka qëndruar në Emergjencë me shenja të jetës, por minimale”, ka thënë Pacolli.

E që në raste të tilla të mundësohet sa më shpejt ofrimi i ndihmës së parë, përfaqësuesi i Shërbyesve Civilë në Administratën Publike ka kërkuar që në institucione të ketë prani edhe të personelit shëndetësor.

“Fatkeqësisht dje e ka humb jetën Nazi, e nesër mund ta ketë fatin ose fatkeqësinë dikush tjetër, për faktin se ne në këtë institucion jemi mbi 1 mijë zyrtarë dhe duke parasysh edhe shërbimet që i ofrojnë këto institucione mund t’i kemi edhe palë brenda ditës rreth 500 e do të duhej që këtu të kishte personel shëndetësor, të kishte edhe mjek dhe dy teknikë që mund ta jepnin ndihmën e parë”, ka thënë sindikalisti Sefaj.

Sipas tij, gjatë së mërkurës është dorëzuar kjo kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.