Arbëri

Vazhdon sot vaksinimi i personave mbi 65 vjeç

Vaksinimi i personave mbi 65 vjet do të vazhdojë sot në Prishtinë por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna të tjera të Kosovës.

Vaksinimi për personat mbi 65 vjet ka nisur të mërkurën që shkoi ndërkohë që është zhvilluar fillimisht vetëm në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Personat mbi këtë moshë mund t’i drejtohen qendrave të vaksinimit duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 19:30, deri më 16 maj.

Të mërkurën në Kosovë kanë arritur edhe 38 mijë e 400 doza të vaksinës “AstraZeneca”.

Këto vaksina janë pjesë e ndihmës për Kosovën, nëpërmjet programit COVAX, nga i cili mekanizëm edhe në mars Kosova i pranoi 24 mijë doza.

Pos vaksinave nga COVAX-i, Kosova ka pranuar javë më parë edhe rreth 8 mijë doza të vaksinës Pfizer, si donacion nga Bashkimi Evropian. Siç është bërë e ditur nga UNICEF-i, edhe 100 mijë doza të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në Kosovë deri në fund të muajit maj.