Arbëri

Vazhdon mungesa e ujit në disa lagje të Prishtinës

KRU Prishtina

Disa zona të lagjeve në Prishtinë që furnizohen nga Badoci vazhdojnë të kenë mungesë të ujit të pijshëm.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se ka probleme me sasinë e prodhimit të ujit, derisa me njoftim zyrtar do të dalin të enjten.

“Për shkak të disa problemeve me sasinë e prodhimit të ujit në Badoc, ka probleme me ujin në zonat që furnizohen nga Badoci. Nesër dalim me njoftim konkret”, thuhet në njoftimin e KRU "Prishtinës" për KOHËN.

Nga Kompania shtuan se situata ka nisur të përmirësohet, por jo plotësisht.

Problemi me furnizim të ujit të pijshëm është nga e marta (1 tetor).


Disa lagje të Prishtinës pa ujë për mbi 12 orë, KRU “Prishtina” pa reagim

Disa lagje të Prishtinës po përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm që nga mesdita e së martës (1 tetor).

Qytetarë të shumtë janë ankuar në rrjetin social Facebook për mungesë të ujit, derisa nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kanë thënë se do të dalin me njoftim zyrtar në orën 14:00.

“Për informimin e juaj, u bënë më shumë se 24 orë që nuk ka ujë në lagjen e Muhaxherëve, ndërsa nuk ka njoftim paraprak për ndërprerje, nuk ka ndonjë lajmërim a sqarim”, “Edhe juve si kompani qytetarët duhet me ju ndëshku me bojkotim-mospagesë”, “Meqë nuk kemi ndonjë formë tjetër të komunikimit me ju, sepse numrin e telefonit nuk po e hapni, atëherë po shprehna lirshëm në komente. Lagjia ‘Veternik’, rr. ‘Behar Begolli’, jemi pa ujë gjithë ditën edhe në këto orë ende nuk ka ujë”, janë disa prej komenteve që janë bërë në postimet e KRU “Prishtinës”.

Mungesa të furnizimit me ujë të pijshëm ka pasur edhe gjatë vikendit.