Në Jabllanicë të Gjakovës, të hënën, janë varrosur tre fëmijët që humbën jetën tragjikisht të shtunën në mbrëmje. Fëmijët, njëri i moshës 13 dhe dy të tjerë të moshës 15-vjeçare, vdiqën nga shembja e një objekti të pabanuar
Mes dhimbjes dhe pikëllimit të familjarëve, miqve dhe banorëve të fshatit Jabllanicë, të hënën u është dhënë lamtumira e fundit tre të miturve që vdiqën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar.
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra veta, përfshirë edhe liderë të institucioneve dhe ministra të kabinetit qeveritar.
Shoku i klasës së viktimave, Ledion Humaj, ka thënë se lajmi për ndarjen e tyre nga jeta ka qenë tronditës për të gjithë.
“Ne kishim nevojë për buzëqeshjen e tyre në shkollë, për lojën dhe ngrohtësinë që çdo ditë na e dhuronin. Lajmi për ndarjen e tyre nga jeta ende pa e nisur atë na ka tronditur pa masë”, ka thënë Ledion Humaj.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është shprehur se kjo është një ditë e rëndë për të gjithë dhe veçanërisht për familjet e të ndjerëve.
“Kjo është një ditë e rëndë e për secilin prej nesh. Ndoshta një prej ditëve më të rënda që i kemi përjetuar rishtazi, po nuk ka ditë më të rëndë për familjen. Ideali, Rama edhe Vetoni , tre djem të rinj, tre engjëj, sot po i përcjellim në amshin, por këta janë të zotit, këta janë të parajsës”, ka thënë Gjini.
Ndërkohë, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjakovë, Valon Myrta, ka thënë se varrimi i tre shokëve së bashku është i pazakontë.
“Vdekja është e mërzitshme por jo e pazakontë. E pazakontë mund të jetë tre shokë të rinj t’i varrosim së bashku. Por sa më e madhe të jetë dhimbja aq më e madhe është ndihma e zotit. Ndihma e zotit koftë me ju dhe me ne të gjithë. E gjithë Kosova, jo vetëm Gjakova, kanë ardhur sot për të ndarë dhimbjen me juve”, ka thënë Myrta.
Fëmijët, të moshave - një 13 dhe dy 15 vjeç, vdiqën tragjikisht të shtunën nga shembja e një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Objekti paraluftës ka shërbyer si shitore e fshatit, ndërkohë që gjatë luftës është djegur. Pas luftës, sipas banorëve të fshatit, objekti është lënë pas dorës.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar të dielën se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit tragjik.