Arbëri

Valdet Sadiku, i ngarkuar me punë në Ambasadën në SHBA

Nga java e ardhshme Kosova do ta ketë shefin e ri të Ambasadës në Washington. Në krye të misionit kryesor diplomatik, autoritetet e kanë ngarkuar me punë ambasadorin Valdet Sadiku.

Burime të KOHËS kanë treguar se ambasadori Sadiku tashmë është pajisur me vizë, e ka prerë biletën dhe gjatë vikendit do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi ka qenë drejtor i Departamentit për Marrëdhënie Rajonale, e para kësaj ishte edhe ambasador në Zagreb e zyrtar ndërlidhës në Beograd.

Ai do ta pasojë ambasadoren Vlora Çitaku, e cila tashmë është kthyer në Prishtinë. Por do të jetë përkohshëm, deri në emërimin e ambasadorit fuqiplotë.

Besnik Pula, politolog që vepron në Shtetet e Bashkuara, thotë se roli që ambasadori në këtë vend ka në diplomacinë e Kosovës, vjen menjëherë pas ministrit të Jashtëm. Krahas diasporës dhe komunikimit me qytetarët amerikanë, ai përmend edhe tri grupe të rëndësishme komunikimi.

“E para është administrata amerikane; e dyta është komuniteti i gjerë diplomatik në Uashington i shteteve të tjera që janë aty të pranishëm e me të cilët duhet të kultivohen marrëdhëniet; është komuniteti diplomatik në Nju- Jork ku mund dhe duhet të ndërtohen lidhje me shtete, sidomos me ato që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë Pula.

Krahas nevojës për më shumë mbështetje financiare e me staf që duhet shtuar Ambasadës, politologu Pula përmend edhe diçka që duhet ndërruar.

“Puna e ambasadorit ose ambasadores së ardhshme në Uashington duhet të jetë në koordinim me strategjinë e jashtme të Kosovës. Mendoj se deri tash është punuar shumë në nisma personale, në kuptimin që është bërë punë e mirë, por nuk është bërë në kuadër të një strategjie dhe koordinimi të përgjithshëm midis qëllimeve të politikës së jashtme që ka Prishtina dhe punës që bën ambasadori në SHBA”, është shprehur ai.

Të nesërmen, kur Kosova e pati shpallur pavarësinë, janë lidhur marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Disa muaj më vonë, përkatësisht në tetorin e vitit 2008, është hapur edhe Ambasada në Washington. Më vonë është themeluar edhe Konsullata e përgjithshme në New York.