Arbëri

Valbon Krasniqi evitoi shkarkimin duke u dorëhequr nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së

Drejtori i SSHKUK-së e ka evituar masën e shkarkimit. KOHA raportoi javën e shkuar se në një mbledhje që e kishte thirrur Bordi me qëllimin për ta shqiptuar këtë masë, dorëheqja i ishte dhënë si alternativë Valbon Krasniqit. E pikërisht një ditë pa u përmbyllur afati njëjavor që i ishte dhënë, vendimi për dorëheqje është kumtuar dhe të cilin e ka miratuar Bordi i SHSKUK-së

Valbon Krasniqi ka dhënë dorëheqje të martën nga pozita e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SSHKUK-së), rreth 2 vjet pasi është emëruar në këtë pozitë. Kësisoj, ai ka evituar masën e shkarkimi nga Bordi i SHSKUK-së, që e priste të mërkurën.

KOHA raportoi javën e shkuar se në një mbledhje që e kishte thirrur Bordi me qëllimin për ta bërë shkarkimin, i ishte dhënë si alternativë Krasniqit një javë kohë që të dorëhiqej. E pikërisht një ditë pa u përmbyllur ky afat, vendimi për dorëheqje është kumtuar dhe të cilin e ka miratuar Bordi i SHSKUK-së.

Arsyet e këtij largimi nuk janë bërë të ditura nga Bordi.

Për to nuk ka folur as drejtori i deritashëm i SHSKUK-së, i cili të martën ka raportuar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e Financave Publike.

Në një komunikatë për media, Bordi drejtues i SHSKUK-së ka falënderuar Krasniqin për punën dhe ka treguar se kë e ka vendosur ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së me këtë rast, duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të Dr. Krasniqit, e falënderon për bashkëpunimin e treguar. Po ashtu, ju njoftojmë se, bazuar në kompetencat e veta, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka emëruar U.D. të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, Dr. Pranvera Zejnullahu-Raçin”, thuhet në komunikatë.

Zejnullahu-Raçi është specialiste e gjinekologjisë në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), e po kështu është edhe asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Ajo nuk ka pasur asnjëherë ndonjë pozitë drejtuese në institucionin në krye të të cilit është vënë.

E Valbon Krasniqi ishte në pozitën e drejtorit që nga shkurti i vitit 2021, ndërsa disa muaj më herët ishte vendosur si ushtrues detyre pas largimit të Basri Sejdiut nga e njëjta pozitë.

Tashmë ish-drejtori i SHSKUK-së konsiderohej si njeri i afërm i LDK-së, subjekt ky në opozitë. Gjatë kohës sa Qeveria është drejtuar nga Avdullah Hoti, ai është vënë në krye të SHSKUK-së, ndërsa ishte përfolur edhe mundësia se do të bëhej ministër i Shëndetësisë.

Edhe dy drejtorët e mëhershëm të këtij Institucioni nuk i kanë përfunduar mandatet. Basri Sejdiu është shkarkuar disa muaj para se ta përfundonte mandatin e rregullt, e Curr Gjocaj ishte dorëhequr në vitin 2017.