Arbëri

Vala e re e COVID-19 rrit numrin e të hospitalizuarve

Prejse ka nisur vala e re e COVID-19 rreth një muaj më parë, të mërkurën është raportuar numri më i madh i të infektuarve – 1 mijë e 793 raste pozitive brenda 24 orëve. Krahas kësaj, dy të infektuar kanë humbur betejën me koronavirusin. Në klinika kanë raportuar numër të shtuar të të hospitalizuarve dhe kanë bërë të ditur se në mesin e të shtruarve ka edhe fëmijë. Autoritetet kanë bërë thirrje për imunizim e bartje maskash në hapësira publike

Dy persona kanë humbur betejën me COVID-19 brenda 24 orëve të fundit, ka bërë të ditur të mërkurën Ministria e Shëndetësisë dhe ka treguar të dhënën se brenda së njëjtës periudhë janë konfirmuar 1 mijë e 793 raste të reja infektimi me virusin SARS-CoV-2, që shkakton pandeminë. Ky numër i rasteve pozitive brenda një dite është më i madhi, prejse ka nisur vala e re e pandemisë, në fund të muajit të shkuar.

Brenda dy javësh numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë ka shkuar në mbi 8 mijë. Për shkak të kësaj rritjeje, Instituti i Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka bërë thirrje për mbajtje të maskës e për vaksinim.

“Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Fatkeqësisht sot janë raportuar dy raste të vdekjes nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Krahas rritjes së rasteve me COVID-19 është shtuar edhe numri i pacientëve të shtruar në Klinikën Infektive. Në të janë duke u trajtuar 20 pacientë, të prekur nga pandemia.

Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive, ka thënë se tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet për të përballuar rastet e infektimeve.

“Ditëve të fundit kemi një shtim të numrit të pacientëve me COVID-19, dhe tanimë kërkesat për spitalizim veç rriten. Ne në Klinikën Infektive kemi aktivizuar gjithsej 4 reparte”, ka thënë Vishaj.

Në mesin e 69 pacientë të konfirmuar me COVID-19, e që janë duke u trajtuar në QKUK e në spitale rajonale janë edhe dy foshnja.

Sipas Hajrije Ismailit, drejtoreshë në Klinikën e Neonatologjisë, gjendja e njërës foshnjë është e rëndë.

“Kemi aktualisht dy foshnja tash në këtë valën e fundit të pandemisë, pra të COVID-it. I kemi vazhdimisht rastet të cilat po pranohen dhe trajtohen në kliniken tonë... Aktualisht e kemi një foshnjë që është në gjendje më të rëndë. Është me asistencë respiratore dhe mbetet tutje në trajtim intensiv”, ka thënë Ismaili.

Ajo ka treguar edhe për simptomat që shfaqen tek foshnjat.

“Foshnjat të cilat vijnë janë me temperaturë të lartë trupore, me vështirësi respiratore. Kryesisht janë forma të lehta”, ka thënë Ismaili.

E fëmijë të infektuar me COVID-19 ka edhe në Klinikën e Pediatrisë.

Afërdita Selmanaj, pediatre në këtë klinikë, ka treguar për kapacitet që kanë.

“Në repartin COVID janë duke u trajtuar dy fëmijë. Gjendja e tyre është stabile. Sa i përket kapaciteteve, numri i shtretërve gjithsej është 10 , mirëpo me mundësi të shtimit nëse paraqitet numri më i madh i rasteve të fëmijëve me COVID-19”, ka thënë ajo.

Pediatrja Selmanaj ka kërkuar nga prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët me vaksinën kundër COVID-19.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë miratoi vaksinimin anti-COVID për fëmijët 5 deri në 11-vjeç.