USAID-i ka shënuar 25-vjetorin e hapjes së zyrës në Kosovë, përmes së cilës janë bërë investime milionëshe në fusha të shumta. Në ceremoninë e organizuar për çerekshekulli prejse USAID-i është operacional në Kosovë, drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt, ka bërë të ditur se që nga viti 1999 deri më tani në Kosovë kanë investuar mbi 1 miliard dollarë. E përmes një videomesazhi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar këtë agjenci për kontributin e dhënë për zhvillimin e Kosovës.
Viti 1999 ka shënuar zyrtarisht fillimin e punës së USAID-it në Kosovë ani se kjo e fundit kishte filluar të operonte qysh në vitin 1993, përmes organizatave të tjera.
E, këtë të martë USAID-i ka mbajtur një ceremoni për nder të 25-vjetorit të hapjes së zyrës së tyre në Kosovë e në të cilën ishin të pranishëm figura të shumta politike, të shoqërisë civile e fushave të tjera.
Gjatë kësaj ceremonie të pranishmëve u është drejtuar drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Mary Eileen Devitt, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ndërsa përmes një videomesazhi atyre u është drejtuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Drejtoresha e USAID, Devitt, ka theksuar se investimet e kësaj agjencie në Kosovë kapin vlerën e 1 miliard dollarëve dhe se angazhimi i USAID-it do të vazhdojë tutje.
“Është thelbësore që Kosova të mbetet e përkushtuar për vlerat multietnike, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, duke përfshirë gratë, të rinjtë dhe minoritetet që kombinojnë prosperitetin dhe mundësitë. Në përfundim dua të shpreh përkushtimin e USAID-it për njerëzit e Kosovës, për të vazhduar punën së bashku në partneritet që t’i përmbushim ambiciet dhe qëllimet tona viteve që do të vijnë”, tha Devitt.
E ambasadori Hovenier ka deklaruar se në vitin ‘99 nuk e kishin paramenduar një zhvillim kaq të shpejtë të Kosovës.
“Ka qenë tejet e vështirë të dinim se si t’i ndihmonim njerëzit e Kosovës në atë kontekst. Për të ndihmuar për të sjellë një ta ardhme më të ndritshme që ne donim....Derisa progresi ende duhet të arrihet, nëse kthehemi dhe e mendoj se si dukej korriku apo gushti i vitit 1999, krahasuar me korrikun apo gushtin e vitit 2024, arritja është e madhe”, tha Hovenier.
Ndërsa përmes një videomesazhi presidentja e vendit është shprehur mirënjohëse ndaj USAID-it për punën e bërë të Kosovë gjatë këtyre viteve.
“Sonte, partnerëve të USAID-it ju themi faleminderit nga thellësia e zemrës. Ju falënderojmë jo vetëm se çfarë keni bërë por edhe për çfarë qëndruat. Përkushtimi juaj për vlerat e përbashkëta, besimi në njerëzit tanë, dhe qëndrimi me ne në kohërat më të vështira dhe momente më të ndritura”, tha Osmani.
Investimet e USAID-it në Kosovë prekin fusha të ndryshme, duke filluar nga mbështetja e mediave të pavarura, zhvillimin ekonomik, posaçërisht në sektorin privat, investimet në infrastrukturë, sundim të ligjit etj.
Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me këtë agjenci në muajin gusht të këtij viti, grant ky që kap vlerën e 34.5 milionë dollarëve.
Në kuadër të këtij 25-vjetori USAID-i do të mbajë aktivitete të shumta në qytete të ndryshme të Kosovës, javëve dhe muajve në vazhdim.