Arbëri

Urgjenca e Gjakovës pa bombola oksigjeni për pacientët

Urgjenca e qytetit të Gjakovës që nga janari është përballur me telashe në furnizimin me oksigjen. Tenderi për mbushjen e bombolave me gaz mjekësor ka dështuar tri herë radhazi. Në Komunë thanë se kanë gjetur zgjidhje të përkohshme përmes bashkëpunimit me spitalin dhe me Mjekësinë e Punës, por drejtues të të dyja institucioneve e mohuan këtë

Që nga fillimi i vitit Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës nuk ka arritur ta kontraktojë një operator ekonomik për mbushjen e bombolave me gaz mjekësor për nevojat e kujdesit parësor.

Kjo, meqë për tri herë radhazi procesi i prokurimit dështoi në mungesë të ofertuesve. Kërkesa e fundit për përshpejtim të procedurave të prokurimit u bë në qershor të këtij viti, në të cilën u përmend nevoja për ndihmë emergjente të pacientëve.

“Me arsyetimin e dështimit disa herë të tenderit, si dhe për arsye të nevojës së domosdoshme për bombolat e oksigjenit, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, gjegjësisht të dhënies së ndihmës emergjente të pacientëve”, shkruan, mes të tjerash, në  kërkesën e drejtoreshës së Shëndetësisë të Komunës së Gjakovës.

Për mungesë të oksigjenit në Urgjencën e qytetit, asamblistja e Vetëvendosjes, Shqipe Daija-Fejza, thotë se u njoftua nga pacientët.

“Qysh ka mundësi që në makina të autoambulancës mos me pasë oksigjen? Këto janë ankesa të mëhershme që thashë edhe më herët i kam pranuar, por nuk u kemi besuar fort, por masandej me informim të mëtutjeshëm e kemi kuptuar që po, kjo mungesë është e oksigjenit”, ka thënë Daija-Fejza. “Tri herë e ka hap tenderin për oksigjen edhe që ka dështu. Domethënë në këtë fazë çka ka bërë urgjenca? Qysh kanë vepru ata deri këtu?”.

Ankesat për mungesë të oksigjenit në kujdesin parësor i mohuan në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe në Urgjencën e qytetit. 

“Gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, pra që nuk kemi, ne e kemi një marrëveshje bashkëpunimi mes tri institucioneve, pra është e Komunës së Gjakovës, Spitali regjional edhe e Mjekësisë së Punës. Gjithmonë kur kemi naj problem që nuk mundemi, sikurse është problemi i bocave të oksigjenit, atëherë i kompensojmë prej spitalit, i marrim si huazim”, ka thënë Adelina Shehu-Kola, drejtoreshë e Shëndetësisë në Gjakovë.

Ngjashëm ka folur edhe Lumturije Kamberi, shefe e Urgjencës.

“Kur ofrohet të shpenzohet boca e oksigjenit, ne gjithmonë i bëjmë kërkesat me kohë edhe furnizimin shpesh e bënë edhe drejtori me marrëveshje mes drejtorit të përgjithshëm të Spitalit në Gjakovë, kështu që ne nuk është se jemi keq me oksigjen”, ka thënë Kamberi.

Por deklaratat i demantuan në dy institucione të tjera.

Drejtori i Spitalit në Gjakovë, Hilmi Shala, mohoi se institucioni që drejton i ofron bombola oksigjeni Urgjencës.

“Spitali ynë nuk ka marrëveshje me DSHMS-në në Gjakovë lidhur me furnizimin me oksigjen. Spitali për nevojat e veta furnizohet me oksigjen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe si rrjedhojë ne nuk mund të bëjmë marrëveshje me asnjë institucion për furnizime me oksigjen, sepse nuk është kompetencë e spitalit”, ka thënë Shala.

Edhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, Albert Lila, konfirmoi se nuk ka bashkëpunim me Urgjencën.     

“Me oksigjen jo. Te ne nuk kemi hospitalizim. Janë raste që vijnë për trajtim ambulator dhe ka raste, për shembull, janë disa boca të vogla të oksigjenit që i shfrytëzojmë për raste kur ka ndonjë reaksion gjatë testimeve a diçka që është e detyruar edhe çdo ambulancë me i pasë”, ka thënë Lila.
Përveç me oksigjen, Urgjenca e qytetit të Gjakovës gjatë muajit korrik pati telashe edhe me klimën dhe frenat e njërës prej autoambulancave. Por në Komunë thanë se problemet janë sanuar.