Hapjen e urës në magjistralen Prishtinë-Gjilan te liqeni i Badocit e kanë paralajmëruar zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës. Ndonëse nuk dhanë datë të saktë thanë së shumica e punëve janë kryer. Ura ishte mbyllur 19 muaj më parë e prej atëherë, në segmentin e devijimit që u ndërtua, pati disa aksidente e humbën jetën 4 persona.
Ura e papërfunduar tash e 19 muaj te liqeni i Badocit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan po vazhdon të jetë problematike për vozitësit.
Në më pak se 24 orë, afër kësaj ure kanë ndodhur dy aksidente e një person pësoi lëndime.
Policia njofton se një kamion u vetaksidentua të mërkurën në pjesën e devijimit të rrugës që u ndërtua pas mbylljes së urës në prill të 2023-tës.
E 30 metra nga aksidenti i kamionit, të martën mbrëma një makinë doli nga shiriti rrugor.
“Ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar një person. Me rastin po merren hetuesit nga njësiti i trafikut”, ka njoftuar Policia.
Dëmet në infrastrukturën përcjellëse të rrugës, por edhe pjesë të veturës kishin mbetur si dëshmi.
Nga të dhënat e siguruara nga KOHA, del se në periudhën prej kur është mbyllur ura e Badocit deri tash kanë humbur jetën 4 persona në pjesën e devijimit të rrugës, 4 të tjerë janë lënduar e ka pasur edhe shumë raste të tjera të aksidenteve në atë pjesë. Për një kohë, pjesa e devijuar nuk ka qenë e asfaltuar dhe e sinjalizuar.
Ura është mbyllur në prill 2023, dhe ende nuk dihet se kur do të përfundojë ndërtimi i saj.
Kontrata në vlerë 468 mijë euro për ndërtimin e kësaj ure është dhënë në dhjetor 2023, 8 muaj pas mbylljes, me afat prej 125 ditësh për kryerjen e punimeve.
Me arsyetimin se niveli i ujit në liqen është i lartë për ta filluar ndërtimin e urës, punimet nuk u kryen me kohë.
Në gusht të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dha edhe një tender shtesë, në vlerë 46 mijë euro për kryerjen e punimeve.
Që atëherë, herë pas here ekipe punuese janë parë duke punuar e po ashtu tash shihet se hapësira poshtë urës është mbushur me dhe.
Por në Ministrinë e Infrastrukturës thanë për KOHËN që ura është përfunduar dhe është para hapjes, mirëpo nuk specifikuan datën se kur do të lëshohet për qarkullim.
“Ura veçse është ndërtuar. Ka mbetur vetëm të shtrohet asfalti dhe të vendoset sinjalizimi që ura të hapet”, kanë bërë të ditur në Ministri.
Janë bërë 19 muaj që nga mbyllja e urës e 12 që nga dhënia e tenderit për ndërtimin e saj.
Gjatë kësaj kohe, pushteti vazhdimisht është kritikuar për vonesat në finalizimin e këtij projekti.