Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që t’i përmirësojë regjistrat kadastralë që të evidentohen pronat e UP-së, duke thënë se kjo çështje tenike “do të lehtësonte jashtëzakonisht punën e Universitetit drejt zhvillimit të infrastrukturës”.
Kjo kërkesë vjen pas raportimit të KOHËS, ku nëpërmjet një letre, Ministria e Arsimit i kërkonte Rektoratit të ndërmerrte veprime ligjore mbi verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve mbi kalimin e pronave publike në emër të profesorëve.
“Për t’i zhvilluar dhe realizuar hapat e mëtejmë të punës, ju drejtohemi juve si kryetar por edhe Kuvendit Komunal nëse nevojitet, me këtë kërkesë për zhvillimin e procedurave sipas legjislacionit në fuqi, të ndërmerrni masa nën kompetencat tuaja si Komunë për përmirësimin dhe korrigjimin e regjistrave kadastralë, në atë mënyrë që parcelat të cilat janë në shfrytëzim në emër të Universitetit të Prishtinës, të evidentohen edhe si pronë e Universitetit dhe Universiteti si pronar”, thuhet në letrën e UP-së drejtuar kryetarit Përparim Rama.
UP-ja ka thënë se korrigjimi i regjistrave do të ndikonte në ruajtjen e pronave nga uzurpimet eventuale.
“Për më tepër, infrastruktura përfaqëson njërin prej kritereve të domosdoshme në proces të akreditimit institucional dhe akredimit të programeve studimore. Çështja e pronësisë është bërë tashmë kërkesë e vazhdueshme e ekspertëve ndërkombëtarë, të përfshirë në akreditimin institucional dhe atë të programeve të universitetit”, thuhet tutje.
Siç kishtë raportuar KOHA më 15 shtator, Ministria e Arsimit që udhëhiqet nga ministrja Arbërie Nagavci, kishte deklaruar se në UP janë kryer transaksione “ku prona të paluajtshme publike u është ndarë e dhënë në shfrytëzim dhe në pronësi private të individëve, përkatësisht profesorëve të UP-së”.