Arbëri

Unifikimi i çmimit të barnave, peng i mashtrimit

Edhe një vit pas miratimit të Ligjit për Çmimin e Barnave, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka finalizuar listën për unifikimin e këtyre çmimeve. Lista e parë është anuluar për shkak të gabimeve të mëdha. E procesi i rishikimit ende nuk ka përfunduar. Sipas burimeve, ka dyshime që kompanitë kanë mashtruar me çmimet e deklaruara nga prodhuesi.

Saktësisht një vit ka kaluar prej kur ka hyrë në fuqi Ligji për Çmimin e Barnave, por procesi i unifikimit ka hasur në probleme.

Lista me çmime të unifikuara është bërë publike një herë, e më pas është anuluar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Rishikimi i listës ka filluar, e nuk ka përfunduar ende.

Burime të KOHËS brenda Ministrisë së Shëndetësisë treguan se një pjesë e madhe e kompanive farmaceutike, i kanë paraqitur rrejshëm çmimet. Barnave që kanë hyrë në Kosovë, ato ua kanë prezantuar çmimet shumë më të larta sesa realet.

Po këto burime kanë folur edhe për dyshimet që një pjesë e kompanive kanë falsifikuar dokumentet e prodhuesve me çmimet e deklaruara të barnave.

Në Ministrinë e Shëndetësisë e kanë pranuar që procesi ka probleme, megjithatë nuk kanë dhënë detaje.

“Komisioni për përcaktimin e çmimeve vazhdon punën dhe jemi shumë afër finalizimit të propozimit të listës. Fillimi i shtatorit është koha e planifikuar për dorëzim të propozimit të listës te Ministri”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.

Në Ministri kanë pranuar se ka pasur tentativa për mashtrim nga ana e kompanive.

“Shumica e problemeve të identifikuara kanë të bëjnë me vërtetësinë e deklarimeve nga deklaruesit, prandaj si komision jemi duke punuar në mënyrë intensive për verifikimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Sipas burimeve të KOHËS, tashmë Ministria i ka kontaktuar shumicën e prodhuesve të mëdhenj farmaceutikë për të konfirmuar të dhënat e prezantuara.

Lista e parë e cila është anuluar kishte nxjerrë produktet me çmim të tregut shumë më të lartë se sa çmimet aktuale.

Disa farmacistë në kushte anonimiteti i kanë treguar KOHËS javë më parë se lista e publikuar në emër të nivelimit të çmimeve, në fakt përmbante rritje drastike çmimi për shumë barna. 

Si rast ilustrues e kanë marrë kremin Travazol që shërben për trajtimin e disa llojeve të infeksioneve të lëkurës. Para nivelimit të çmimeve, ky produkt ka kushtuar 3.80 euro, e pas procesit të nivelimit është bërë 11 euro.

Procesi i “nivelimit” ia kishte rritur çmimin edhe një bar për trajtimin e diabetit “Glavus Met”.

Në korrikun e vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka kaluar Ligjin që parasheh rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike, por edhe në tregun privat. 

Ligji parashihte që për katër muaj të krijohej lista me çmimet obliguese, por ajo ende nuk është finalizuar.