Arbëri

Ulutash: Ngjarjet në Kosovë ndikuan në sigurinë në rajon, dërguam 1,000 trupa

kfor

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutash, ka thënë se ngjarjet e ndodhura gjatë vitit të kaluar në Kosovë e kanë ndikuar negativisht situatën e sigurisë në rajon.

Ai ka theksuar se pas tensioneve, NATO ka dërguar 1 mijë trupa shtesë në Kosovë dhe se batalioni turk që erdhi në kuadër të forcave shtesë, po jep kontribut në mënyrë profesionale.

“Siç e dini, batalioni ynë nga Turqia po shërben në fushën e operacioneve si njësi rezervë. Në rastin e batalionit tonë turk, ushtarët tanë po japin një kontribut që do të bëjë ndryshimin këtu në një mënyrë profesionale, shumë të trajnuar”, ka deklaruar Ulutas pas një aktiviteti.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.

Më 24 shtator, një grup paramilitar serb nisi sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë Milan Radoiçiq, i cili edhe pse i kërkuar nga INTERPOL-i, vazhdon të jetë i lirë nëpër Serbi.