Arbëri

Ukshini: Tribunali i Hagës i ngriti aktakuzë Limajt për t'ia bërë qejfin Serbisë

Sylë Ukshini

Ish-ambasadori dhe profesori i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, ka thënë se Tribunali i Hagës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Limajt “vetëm për t’ia bërë qejfin Serbisë”.

Duke u bazuar në një libër të shkruar nga një autor anglez, Ukshini ka thënë se Tribunali i Hagës ka ngritur aktakuzë për Fatmir Limajn në mënyrë që ta joshte Serbinë për të bashkëpunuar. 

Sipas tij, qëllimi ishte dorëzimi i Ratko Mladiqit dhe Radovan Karagjiqit, të cilët akuzohen për raste të ndara për gjenocidin në Srebrenicë. 

“E kam një detaj nga një libër të një autori anglez, fatkeqësisht nuk e kujtoj emrin tash, por mund ta dërgoj më vonë. Në vitin 2003 thotë se në kohën kur Serbia nuk po bashkëpunonte me Tribunalin, gatoi një aktakuzë për Fatmir Limajn në kohën kur nuk ishte asnjë dokument relevant për ta çuar në Hagë, por këtë e bëri vetëm për t’ia bërë qejfin Serbisë. Sipas autorit, kjo u bë vetëm për ta joshur Serbinë për të bashkëpunuar që t’i dorëzojë (Ratko v.j.) Mladiqin dhe (Radovan v.j.) Karagjiqin sepse thotë se Perëndimi nuk po i bënte trysni Beogradit dhe Beogradi nuk po bashkëpunonte, si dhe thotë që Carla del Ponte a ofroi një gatishmëri për t’i ndjekur njerëzit e UÇK-së vetëm që Beogradi të bashkëpunonte”, ka thënë ai. 


Ukshini: Nëse bie nga pushteti, Vuçiqi mund të gjykohet në Serbi dhe në Hagë

Ish-ambasadori dhe profesori i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, ka deklaruar se nëse bie pushteti në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq mund të gjykohet në Serbi, por edhe në Hagë. 

Ai tha se mendon që kjo është mëdyshja e Vuçiqit, pasi është politikan “i gatuar në kuzhinën e Sllobodan Millosheviqit”.

“Mendoj se ai (v.j. Aleksandar Vuçiq) ka mëdyshjen se nëse bie nga pushteti mund që nesër të akuzohet edhe brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar, sepse Vuçiqi ka qenë pjesë e partisë radikale të Serbisë që ka mbështetur krimet, luftën, gjenocidin në Bosnjë, ministria që e ka drejtuar ai ka mohuar Reçakun, pra është një njeri i gatuar në kuzhinën e Millosheviqit dhe ai thotë se nëse mbetet pa pushtet ndoshta mbase mund të përfundojë në ndonjë gjykatë dhe unë mendoj se nëse do të duhej të ishte dikush në një gjykatë ndërkombëtare, do të duhej të ishte vetë Shesheli dhe Vuçiqi e kështu do t’i ndihmohej rajonit dhe vetë Serbisë. Përderisa ndërtohen këto dy standarde, ku Vuçiqi glorifikohet si politikan pragmatist,ndërkohë që ne shqiptarët e Kosovës e dimë saktë kush është”, ka thënë ai. 


Ukshini: Shoqëria serbe mbetet e kontaminuar me sentimentin anti-Kosovë

Ish-ambasadori dhe profesori i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, ka thënë se shoqëria serbe mbetet e kontaminuar me sentimentin anti-Kosovë. 

Të mërkurën, derisa ka folur për zhvillimet e fundit në Beograd, ku dha dorëheqje kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, ka thënë se kjo shoqëri mbetet e kontaminuar me nacionalizëm. 

Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i takon brezit të atyre politikanë që janë kastë e Sllobodan Millosheviqit dhe se i di lojërat me të cilat mbetet në pushtet. 

“Vitet e 90-ta, pra në vitin 1996 kanë qenë lëvizjet anti-Millosheviq, fatkeqësisht brenda nuk kanë qenë lëvizje emancipuese në kuptimin në raport me fqinjët. Shoqëria serbe mbetet e kontaminuar me sentimentin anti-Kosovë dhe anti-shqiptarë dhe këto lëvizje gjithmonë kanë një garë brenda tyre se kush është më nacionaliste. Shoqëria serbe mbetet e kontaminuar me nacionalizëm. Mendoj se Vuçiqi i takon një brezi të politikanëve të klasës së vjetër, është politikan që i takon kastës së Millosheviqit dhe ai i di këto lojërat për të mbetur në pushtet dhe mendoj se do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet siç edhe i ka shfrytëzuar në relacion me Moskën, Brukselin herë andej e herë këndej dhe duke e luajtur herë trimin e herë frikacakun, herë duke shantazhuar e mashtruar, pra është politikan që di t’i luaj të gjitha dhe të bëjë sakrifica për të ruajtur pozicionin e tij siç e ka ruajtur deri më tani”, ka thënë Ukshini.