Asociacioni në pakon e Ahtisaarit ishte bërë për ta bindur Rusinë që ta pranonte pavarësinë e Kosovës, sipas ish-diplomatit Sylë Ukshini.
Rusia pati vendosur veton ndaj një propozim-rezolute të anëtarëve evropianë të Këshillit të Sigurimit, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara e cila parashihej të zëvendësonte rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për t'i hapur rrugës hyrjes në fuqi të planit të Ahtisaarit dhe përfundimit brenda 120 ditëve të misionit të OKB-së në Kosovë.
“Spekulohet se jo e bëri ky, jo ky Asociacionin. Jo jo, Asociacioni ka qenë në pakon e Ahtisaarit. Por një gjë nuk duhet harruar sepse këtu njerëzit nuk po kanë memorie institucionale ose pritojnë me lexu dokumentet. Asociacioni ka qenë i projektuar dhe të gjitha aranzhimet për serbët, kanë qenë të projektuara si favore për palën serbe në mënyrë që Rusia si negociatore të mos nxjerrë veto në Këshillin e Sigurimit. Me kalimin e pakos së Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, ne bëheshim pjesë e sistemit ndërkombëtar. Rusia e luajti mirë. Nuk na la me shpall pavarësinë dhe me qenë pjesës e sistemit”, ka thënë Ukshini në “Konfront” të KTV-së.
Siç ka thënë Ukshini, Serbia është treguar diplomatikisht e fortë dhe ka shfrytëzuar të gjitha bonuset që ka marrë nga kjo pako.
“Serbia ka përdorur të ashtuquajturën ‘tavolinën suedeze’, ka marrë të gjitha bonuset që kanë qenë për palën serbe në pakon e Ahtisaarit. Kjo ka nënkuptuar, këtu po bien në lajthitje ndërkombëtarët, në momentin që i marrin ato bonuse, kanë detyrim ndaj shtetit të Kosovës. Por Serbia i ka marrë favoret dhe ka thënë se ne nuk kemi përgjegjësi ndaj shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Ukshini.
Sopi tregon se si u shndërrua veriu në enklavë krimi dhe kujt i shkon për shtati
Analisti Agim Sopi ka treguar se si veriu i Kosovës u shndërrua në një enklavë për krimin dhe se kujt i ka shkuar kjo për shtati.
Sopi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se këtë situatë të krijuar në veri e ka shfrytëzuar Serbia si instrument politik për shantazhe karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe shqiptarëve.
“...Është krijuar enklavë e krimit të organizuar dhe bandave që pastaj Serbia e ka shfrytëzuar si instrument politik për shantazhe karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe natyrisht karshi shqiptarëve. Pse e ka krijuar këtë enklavë të tillë bashkësia ndërkombëtare, sepse Ura e Ibrit është lumi Ibër dhe lumi Ibër është paramenduar si kufi, njëfarë kufiri natyral në rast se Kosova pavarësohej. E dini se me ardhmen e KFOR-it këtu nuk ishte e garantuar pavarësia, ndodhi falë përkushtimit të SHBA-së dhe administratës Bush”, ka thënë Sopi.
Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po e shfrytëzon veriun si kartë para zgjedhjeve.
“Kurti nuk ka treguar sukses në zhvillimin ekonomik, kulturor, shëndetësor dhe arsimor të mos flasim. Gjitha fushat ato që ka premtuar ose ka stagnuar ose ka fatkeqësisht regres. Kurtit i ka mbetur nga prioriteti i shtatë në fushatën elektorale, si prioriteti i parë bisedimet me Serbinë. Gjithçka ka investuar në rikthimin e sovranitetit në veri. Një letër të tillë para zgjedhjeve s’mund të lëshojë nga dora. E luan atë letër. A do të duhej të luajë lojëra pa kufij me qëllim elektoral në këto kohë tepër deligate e fragjile, konsideroj se jo”, tha Sopi.
Demaku kritikon opozitën: Është rrezitur gjatë gjithë verës
Panelistja e “Konfrontit”, Dafina Demaku, ka kritikuar opozitën në Kosovë duke thënë se ka qëndruar e heshtur gjatë gjithë verës karshi ngjarjeve dhe “është rrezitur”.
“Jam shumë kundër që opozita ka shikuar duke u rrezitur e duke qëndruar. Kanë ndodhur shumë gjëra e opozita nuk ka pasur asnjë reagim, qëndrim apo ndonjë gjë. Por, pse opozita i ka borxh kryeministrit Kurti që me u ul me të e me a qysh me ja bë një pune që nuk po ec mirë. Kurti është politikani që ka marrë vota më masive në historinë e pasluftës, duke premtuar se krejt gjërat do të rregullohen”, tha Demaku në “Konfront” të KTV-së.
Ukshini: Ky dialog ka dështuar, duhet ndërruar ose ekipin ose futbollistët
Ish-diplomati Sylë Ukshini ka thënë se forma dhe dinamika se si ka shkuar dialogu do të thotë dështim dhe se sipas tij diçka duhet të ndryshojë.
“Dialogu pas 13 vjetëve ka filluar te ura dhe është kthyer te ura. Ky dialog me këtë dinamikë, me këtë formë, me këtë qasje, duhet ta pranojmë se ka dështuar dhe diçka duhet të bëhet. Është sikur trajneri i futbollit, kur nuk ec, kur nuk ka gola diçka duhet të ndryshojë – ose ekipi ose futbollistët”, ka thënë Ukshini në “Konfront” të KTV-së.
Siç ka thënë Ukshini, nëse Ura e Ibrit nuk hapet deri në pranverë atëherë ndërkombëtarët duhet t’ia japin disa përgjigje Kosovës.
“Nëse ura nuk hapet deri në pranverë, i mbetet ndërkombëtarëve me na dhe vetëm me na thanë cilat janë klauzolat e Marrëveshjes së Helsinkit, çfarë është arritur? Sepse diçka i vjen era që në këtë pjesë nuk po duan t’i lënë shqiptarët të kalojnë”, ka shtuar ish-diplomati.