Një grua nga Ukraina po qëndron në Kosovë bashkë me dy fëmijët e saj. Shteti i jep vetëm 100 euro në muaj, ndërsa për akomodimin e tyre është përkujdesur një familje kosovare. Në mungesë të statusit të azilkërkueses, dhe përkujdesjes institucionale, kjo familje e ka të vështirë të qëndrojë shumë gjatë në Kosovë
Duart i ka të ftohta në mungesë të ngrohjes, por të paktën është i sigurt nga lufta. Kështu e përshkruan nëna e tij, Damirin 9-muajsh.
Olga Gorgola, gruaja nga Ukraina ka dy muaj që bashkë me fëmijët e saj është larguar nga Polonia dhe ka ardhur për kushte më të mira në Kosovë.
I kishin thënë se gazetarët ukrainas paguhen nga shteti i Kosovës deri në 500 euro bashkë me akomodim.
Derisa kishte menduar se e njëjta vlen edhe për të ikur, kur erdhi, e kuptoi se mund të marrë vetëm 100 euro në muaj si civile.
Qiranë e banesës ku qëndron për 3 muaj ia pagoi një familje kosovare.
Ky afat përfundon edhe dy javë dhe ajo nuk e di se çfarë e pret më pas.
“Ne jemi adapatuar me ambientin. Nuk është mirë i ftohti sidomos për djalin e vogël. Nxemjen e kam ndalur se dua të kuptojnë njerëzit që po paguajnë për mua. Nuk janë paratë e mia dhe nuk dua t’i ngarkoj ata që po më ndihmojnë në situatën time. Po lutem për mot më të mirë, sepse energjia elektrike është e shtrenjtë”, ka thënë ajo.
Olga tashmë ka aplikuar për të marrë statusin e azilkërkueses në Kosovë. Avokati i organizatës partnere të UNHCR-së, Shadan Horosani, i ka thënë KOHË-s se procedurat me ligj zgjasin nga 6 deri në 9 muaj, megjithatë, në raste të caktuara ato mund të kryhen me procedurë të shpejtuar, varësisht nga rasti.
Nëse ajo e fiton statusin, atëherë shteti i Kosovës ia paguan asaj shpenzimet e akomodimit.
“Isha vendosur në Poloni si refugjate dhe atje ka shumë refugjatë, është një vend i varfër dhe qeveria nuk mund të ndihmojë gjithë ata persona. Duhej të bënim çdo gjë vetë. Vendosa të vija këtu. Miqtë në Kosovë më ndihmuan shumë tash e 3 muaj, por tani situata ime është vështirësuar, kam mbetur pa para, sepse nuk e kam statusin e azilkërkueses. Më duhen para që të jetojë këtu dhe më besoni, e kam të vështirë të kërkoj ndihmë për vete dhe fëmijët e mi, por duhet ta bëj në një situatë të tillë”, është shprehur ajo.
Derisa lutet që lufta të përfundojë, nëna e dy fëmijëve është falënderuese ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët i ndihmuan me akomodim e me një shkollë private që ia mori djalin 9-vjeçar.
“Nuk mendoj të kthehem në Ukrainë sepse është e vështirë. Aktualisht mendoj të qëndroj më gjatë këtu, ndihem mirë, ndihem e sigurt. Në Ukrainë duhet kohë që të rindërtohet, sepse vendi nga vij unë është i shkatërruar”, ka thënë Olga.
Jeta Tela, shefe e kabinetit të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë për Kohën se do ta shqyrtojnë rastin e kërkesën për status të azilkërkuesit me prioritet.