Arbëri

Ukaj: Serbia e do dështimin e dialogut, Lajçaku i anshëm në proces

Politologu Fidan Ukaj ka deklaruar se Beogradi zyrtar e ka qëllim dështimin e procesit të dialogut me Kosovën, me idenë që sipas tij, procesi të zvarritet.

Ai ka thënë të enjten “60 Minuta” të KTV-së se Serbia nuk është e interesuar t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara, ndonëse, sipas tij, ajo po tolerohet nga bashkësia ndërkombëtare.

“Serbia nuk do përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën dhe ka qenë faktor destabilizimi për rajonin. Serbia është amnistuar e toleruar, duke e toleruar edhe mosnënshkrimin e dakordimit në Bruksel e në Ohër. Kemi parë edhe shaka nga Vuçiqi se ‘i dhemb dora për nënshkrim’”, ka deklaruar Ukaj.

Për Ukajn, problematik është edhe emërimi i ndërmjetësuesit për dialog. Ai ka thënë se i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialog, Miroslav Lajçak, s’e ka pasur besimin e palëve në proces pasi shteti i tij nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Atë e ka akuzuar për anshmëri.

“Ndërmjetësuesi duhet të ketë besim të të dyjave palëve. Lajçaku ka qenë i anshëm dhe po dëshmohet se s’është arritur normalizimi i raporteve, por kemi pasur sulm terrorist. Përgjegjësia i takon edhe Lajçaku pasi ka marrë besimin nga 27 vendet e BE-së për normalizim të  raporteve”, ka thënë Ukaj.

Politologu është shprehur se palëve i duhet një ndërmjetësues evropian që kanë besim në të.

“Ardhja e një ndërmjetësuesi që vjen nga një shtet njohës dhe krijimi i besimit të një ndërmjetësuesi nga shtetet njohëse është i rëndësishëm, e për zhbllokim duhet ndërrimi i planit të sekuencimit që të kemi zbatim të marrëveshjeve të mëhershme”, ka shtuar ai.

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Ukaj ka potencuar se do të rriste subjektivitetin e shtetësisë.