Arbëri

Ukaj: Me vendimin për vizat për serbët BE-ja shkeli Marrëveshjen e Brukselit

Analisti Fidan Ukaj

Analisti Fidan Ukaj

Analisti Fidan Ukaj ka vlerësuar se Bashkimi Evropian e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit me vendimin për t’i lejuar serbët e Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Zyra Koordinuese në Beograd.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Ukaj ka thënë se ky vendim i BE-së e ka pamundësuar përmbylljen e shpejtë të procesit të dialogut. 

“Nëse në dakordimin e Brukselit dhe të Ohrit flitet për njohjen e simboleve, po ashtu respektimin e pjesës territoriale, me këtë vendim vetë Bashkimi Evropian e ka shkelur marrëveshjen sa i përket respektimit të pjesës territoriale. Marrja e këtij vendimi e ka pamundësuar një përmbyllje të shpejtë të procesit dialogues”, ka thënë ai. 

Ukaj ka shtuar se ky vendim e cenon sovranitetin e Kosovës dhe ndikon në integrimin e serbëve në jetën publike. 

“E cenon sovranitetin e Kosovës dhe mendoj se për këtë është precedent i rrezikshëm tanimë i marrë në emër të lëvizjes së lirë për qytetarët serbë të Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Megjithatë këto dokumente nuk njihen nga Republika e Kosovës dhe janë të ndaluara që të udhëtohet me to nga Aeroporti i Prishtinës. Pashmangshëm ndikon edhe në integrimin e qytetarëve serbë qoftë në institucione, po ashtu edhe në jetën publike”, është shprehur ai.

Ai ka vlerësuar se moskoordinimi i diplomacisë kosovare me faktorin ndërkombëtar ka ndikuar në marrjen e një vendimi të tillë. 

“Diplomacia kosovare ka çaluar ta argumentojë një gjë të tillë dhe tani e kemi këtë vendim si pasojë e moskoordinimit të veprimeve me miqtë tanë ndërkombëtarë. Vetëm një zbatim paralel i marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia, eliminimi i kërkesës së parë për themeliminim e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova dhe  garancitë ndërkombëtare do të ishin mundësi për vazhdimin e këtij procesi dialogues”, ka thënë ai.