Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se ky organ ka bërë gjithçka në kompetencën e tij për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, dhe se tash i takon nivelit qendror ta procedojë tutje.
Ai para mediave ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje nga ministritë përkatëse që kur në prill 2023 u mor vendimi në Kuvendin e Komunës që të hapej ajo urë për qarkullimin e automjeteve.
“Prej Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kemi marrë asnjë letër, as nga Ministria e Pushtetit Lokal. Në problemin e hapjes së urës është bashkësia ndërkombëtare sepse është prezent në urë. Janë kompetenca të MPB dhe Qeverisë përmes dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por ne nuk mundemi si Kuvend dhe nuk kemi të drejtë t’i bisedojmë këto çështje pasi e kemi sjellë vendimin, hapat konkretë duhet t’i marrë Qeveria”, ka theksuar ai.
Uglanin është shprehur se nuk e di se kur mund të merren hapa konkretë për zbatimin e vendimit për urën, por ka përsëritur se pjesën e vet e ka kryer Kuvendi.
Sadiku: Ura e Ibrit të trajtohet si çdo urë tjetër në botë
(E përditësuar 13:05) Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skënder Sadiku, e ka quajtur të palogjikshme që Ura e Ibrit vazhdon të qëndrojë e mbyllur për automjete.
Sadiku ka theksuar se Kuvendi Komunal “ka shprehur një vullnet të lirë që definitivisht të hapet qyteti për të gjithë”.
Ai ka thënë se edhe përfaqësuesit serbë dëshirojnë hapjen e urës.
“Sikur të isha në Amerikë do të thosha ‘no comment’. Unë si qytetar, si iniciativë qytetare, edhe një koleg serb që ka qenë këtu ka thënë nuk jam kundër hapjes urës, por jam për kohën ta gjeni një kohë më të volitshme. Ura e parë historikisht është ndërtuar nga osmanlitë, urën e dytë e kanë ndërtuar gjermanët, këtë urë sot e kanë ndërtuar francezët, komuniteti serb ka bë roje unë, ne kemi bërë laura aty e mbyllim, e hapim. Kjo urë duhet të jetë simbol që i bashkon qytetet, që i largon ndarjet dhe të trajtohet si çdo urë në botë”, ka thënë ai për media.
LVV-ja kërkon hapjen e urës mbi lumin Ibër
(E përditësuar 11:10) Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës të Mitrovicës së Veriut kanë kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.
Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, tha se çështje e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe "është mbyllur kjo çështje". Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.
"Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje", tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.
Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë "sipas standardeve evropiane". Ai tha se zbatimi i vendimit për çështjen e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.
“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, tha ai.
Seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut vazhdoi pa praninë e mediave./ REL
Në Kuvendin Komunal pritet të diskutohet çështja e hapjes së Urës së Ibrit
Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut të premten pritet të diskutohet çështja e zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Seanca fillon nga ora 10:00 dhe aty përveç pikave të përcaktuara të rendit të ditës mund të futet edhe kjo çështje, ka thënë asamblistja e Vetëvendosjes Aida Doli.
Ajo ka theksuar se do të kërkojë që ky vendim të dikutohet në këtë seancë.
E, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se nëse kjo pikë vjen si propozim nga delegatët do të mirëpritet. “Sigurisht se do ta mbështesim”, është përgjigjur ai për hapjen e urës.
Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit ishte marrë në prill të vitit 2023, por që nuk është zbatuar ende edhe pse ka qenë subjekt i dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 dhe 2016 në kuadër të dialogut.
Ura që ndan jugun dhe veriun shihet si simbol i ndarjes së Mitrovicës. Ajo mund të kalohet vetëm në këmbë. Ura është gjithashtu simbol i barrikadave - e para prej të cilave është ngritur në vitin 2011 nga serbët lokalë, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.
Në vitin 2014, ato barrikada janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, që janë hequr në vitin 2016 është menduar që ura të hapet për qarkullim. Pas kësaj, udhëheqja lokale ka nisur të ndërtojë një “mur” nga ana veriore e urës, i cili më pas është shembur. Në afërsi të kësaj ure, shpeshherë, mbahen protesta të ndryshme, që organizohen nga përfaqësuesit politikë të serbëve.