Arbëri

Uça përkujtoi tre dëshmorët që mbrojtën nxënësit e fshatit nga keqtrajtimi i policisë serbe

31 janari është ditë krenarie dhe mërzie për banorët e fshatit Uçë të Istogut. Burrat e familjeve Hysenaj e Hoxhaj duarthatë nxorën nga makina e policisë serbe nxënësit e arrestuar.

Në mëngjesin e 31 janarit të vitit 1992, shkollarët po shkonin në shtëpinë-shkollë të mërgimtarit Avdullah Imeraj.

Nga rafalët e policisë serbe atë ditë do të ndërronin jetë Muharrem Hysenaj, 62 vjeç, e Agim Hoxhaj, 54 vjeç. Plumbat qëlluan edhe vëllezërit Azllan e Hasan Hysenaj, dhe të birin e Hasanit, Imerin, raporton KTV-ja.

Dy djemtë e Muharrem Hysenajt u arrestuan atë natë derisa po prisnin para Spitalit të Pejës të merrnin kufomën e babait. Policia serbe i torturoi dhe nuk i lejoi as të merrnin pjesë në varrimin e babait.

Azllan Hysenaj u arrestua derisa po e dërgonte babanë e plagosur në Spitalin e Mitrovicës. Familjarëve nuk iu lejua ta shihnin të gjallë Hasanin, 51 vjeç. Azllani beson se vëllai vdiq nga torturat.

Fshati u rrethua me autoblinda e po vëzhgohej nga helikopteri i forcave serbe.

Megjithatë mijëra qytetarë morën pjesë në varrimin e tre dëshmorëve.

Shkollës iu ndërrua emri në njëvjetorin e vrasjes së tre burrave të Uçës.

Drejtori Beqir Ibrahimi kishte kryer shkollën e mesme në shtëpitë-shkolla.

Familjarët thonë se heroizmi i tre dëshmorëve trimëroi qytetarët anembanë që fëmijëve të mos u mbylleshin dyert e shkollës shqipe, pavarësisht dhunës sistematike të regjimit serb.